UN kërkon të arrestojë udhëheqësin e serbëve të Kosovës

09/08/2002

Policia e OKB-së tentoi të arrestojë udhëheqësin e serbëve të Kosovës Milan Ivanoviç natën vonë të së mërkurës (7 gusht). Ivanoviç, i cili udhëheq Këshillin Kombëtar Serb për Kosovën veriore, nuk ishte në shtëpi dhe i shpëtoi arrestimit.

(Reuters, AP, BBC, RFE/RL, Radio B92 - 08/08/02)

Policia e OKB-së tentoi, por nuk arriti të arrestojë udhëheqësin e serbëve të Kosovës Milan Ivanoviç, i cili është akuzuar për tentativë për vrasje. Një doktor spitali, ai kryeson Këshillin Kombëtar serb për Kosovën veriore, një parti që besohet të ketë luajtuar një rol gjatë një revolte në prill, në të cilën u plagosën 22 paqeruajtës kryesisht polakë.

Trupat franceze dhe policia e OKB-së, të mbështetur nga dy automjete të blinduara dhe një helikopter, kontrolluan shtëpinë e Ivanoviçit në Mitrovicë natën vonë të së mërkurës (7 gusht). Në këtë kohë në shtëpi ishte vetëm nëna e tij e moshuar.

Një deklaratë e UNMIK-ut tha se, me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar, një gjyqtar hetues ndërkombëtar ka nxjerrë më 30 korrik një mandat-arresti për arrestimin e Ivanoviçit. UNMIK tha se Ivanoviç ishte në dijeni të mandat-arrestit dhe i bëri thirrje udhëheqësit serb të dorëzohej.

Ivanoviç tha se ende nuk kishte vendosur nëse do të dorëzohej. "Unë do marr një vendim pasi të kem biseduar seriozisht me avokatët dhe anëtarët e familjes sime," tha ai. Ai mohoi t'i ishte dorëzuar padia më 30 korrik, duke pretenduar se përkundrazi i ishte kërkuar ose të dorëzohej vullnetarisht dhe "të mbyllej në burgun e Mitrovicës" ose të bëhej një i arratisur prej atij që ai e quajti një ligj "shqiptar".

Ivanoviç e përshkroi tentativën për arrestimin e tij si të motivuar politikisht dhe akuzoi kreun e UNMIK-ut Mikael Shtajner se po përpiqej t'a detyronte popullsinë vendase serbe të largohej përpara zgjedhjeve vendore të 26 tetorit. Ai paralajmëroi se veprimi për arrestimin e tij "mund të ketë pasoja shumë të rënda" dhe i ftoi autoritetet në Beograd "të marrin pjesë dhe t'i diskutojnë këto gjëra." UNMIK i hodhi poshtë akuzat e Ivanoviçit.

Këshilli Kombëtar Serb për Kosovën veriore besohet të jetë duke mbështetur aktivisht një organizatë vullnetare, të njohur si Rojet e Urës. Grupi vepron në qytetin industrial të Mitrovicës, të ndarë mes jugut shqiptar etnik dhe veriut të mbizotëruar nga serbët. Emri i tij vjen prej tre urave që ndajnë qytetin. Pavarësisht prej përpjekjeve të OKB-së për t'i bërë që të dorëzojnë armët e tyre dhe t'i nënshtrohen autoritetit të OKB-së, Rojet e Urës vazhdojnë të veprojnë si një lloj force policore paralele, duke pretenduar se thjesht janë duke mbrojtur serbët vendas prej sulmeve të shqiptarëve etnikë.

Zyrtarët ndërkombëtarë e akuzojnë grupin dhe udhëheqësit vendorë serbë për organizimin e revoltave në dukje spontane kundër policisë së OKB-së dhe paqeruajtësve të NATO-s, por udhëheqësit serbë në Kosovën veriore e kanë refuzuar këtë akuzë.

Duke kundërshtuar politikat e OKB-së në Kosovë, udhëheqësit serbë në Mitrovicë preferojnë të ruajnë lidhje të ngushta me Beogradin, sesa të njohin autoritetin e UNMIK-ut në shumë fusha.

Nebojsha Çoviç, kreu i Qëndrës për Koordinimin për Kosovën të Beogradit, ka kërkuar një shpjegim nga Shtajner në lidhje me tentativën për arrestimin e Ivanoviçit. Qëndra për Koordinimin tha në një deklaratë se, pas lajmeve nga provinca, ajo ka anulluar nënshkrimin e njoftuar të një protokolli mbi njohjen e targave të Kosovës.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne