Një urë ndarëse ndërmjet Kroacisë dhe BiH

11/08/2012

Ura 400 milionë euro në Gadishullin e Peljesaçit, e cila do të lidhë tokën e Kroacisë, po ringjall çështjet e fjetura në lidhje me daljen në det dhe kufijtë me Bosnjë e Hercegovinën.

Nga Bedrana Kaletoviç për Southeast European Times në Tuzla - 11/08/12

Qeveria kroate po mendon përsëri ndërtimin e një ure në Gadishullin e Peljesaçit për të lidhur pjesën më jugore të Kroacisë me pjesën tjetër të vendit, por projekti ka ringjallur çështjen e kufijve të pazgjidhur me Bosnjë e Hercegovinën (BiH) në mes të një debati të ashpër publik.

BE-ja i kërkon Kroacisë të lidhet me tokën e saj deri në vitin 2013 para se të hyjë në Bashkim. Pjesa e saj jugore, duke përfshirë Dubrovnikun, është prerë nga Neum, qyteti i vetëm i BiH në bregdetin e Adriatikut.

Themelet e urës janë në ujërat territoriale të BiH, por puna është ndalur derisa të zgjidhen problemet e daljes në det të BiH dhe shkeljes së sovranitetit të saj.

"[Pranimi] i marrëveshjes për kufijtë dhe përputhshmëria me konventën ndërkombëtare të OKB-së mbi të drejtën për akses pa pengesa në detet e hapura" janë dy kushtet mbi të cilat është i mundur ndërtimi i urës, tha Davor Haxhiç, ministri i BiH për transportin.

Shumë argumentojnë se është më e leverdishme për Kroacinë dhe politikisht e pranueshme për BiH, të ndërtohet një autostradë përmes Neumit, por nga ky opsion është hequr dorë.

"Kujt do t'i vijë në ndihmë kjo urë dhe pse përmendet gjithmonë rëndësia e saj për aderimin në BE?" pyet Pokoloko .

Nëse Kroacia ndërton një autostradë shumë të nevojshme, ajo do të "përmirësojë infrastrukturën e transportit, jugu i Kroacisë do të bëhet një treg më tërheqës, turistët do të shpenzojnë më shumë para, prandaj investimi do të shlyhet duke mbledhur taksa".

Me lartësi 55m, ura do të jetë disa metra më e lartë se urat standarde, dhe do të pengojë transportin ndërkombëtar detar nëpërmjet portit të Ploche në Kroaci, pikërisht në veri të Neumit.

Si Kroacia dhe BiH pretendojnë të drejtën për të përdorur portin Ploche.

"BiH duhet të mendojë praktikisht. Nëse dëshiron të pretendojë të drejtën e përdorimit të privilegjuar të Ploche, ajo duhet t'i japë Kroacisë dritën jeshile për të shpenzuar paratë për projektin që është i nevojshëm për ata, por nuk është i domosdoshëm," thaBrauer .

Ura ka një çmim prej 400 milionë eurosh, por Kroacisë i mungojnë paratë dhe pret që ndihma financiare e BE-së të përmbushë kërkesat sipas afatit të caktuar.

Shumë zyrtarë të BE-së, po ashtu dhe qytetarë kroatë, janë skeptikë mbi këtë marrëveshje.

"Për atë sasi parash, Kroacia mund të ndërtojë një tunel nën Neum dhe e zgjidh problemin: Kroacia do të lidhte territorin e saj ... dhe BiH do të kishte akses të hapur në det", thaBosnager.

Njuskalo argumentoi se qeveria e mëparshme kroate duhet të kishte bërë më shumë që të merrte financim nga BE-ja për këtë projekt.

"KE dhe Banka Evropiane e Investimeve ka refuzuar më para të financojë ndërtimin e urës. E gjitha varet nga sa e aftë është kjo qeveri të lobojë për burimet e BE-së."

Marrëveshja e kufijve e nënshkruar nga presidentët Franjo Tuxhman dhe Alija Izetbegoviç në vitin 1999 i jep BiH majën e Gadishullit Klek dhe dy ishuj.Qeveria kroate ka sinjalizuar se është e gatshme ta ratifikojë marrëveshjen në këmbim të lejes për të ndërtuar urën.

"Nëse marrëveshja ratifikohet, parlamenti duhet të shpërndahet dhe të thirren zgjedhje të reja për shkak se strukturat qeverisëse vendosën të tradhtojnë Kroacinë dhe qytetarët e saj", përmblodhi pikëpamjet më të përhapura Davorin Vlahovic.

"Ne do të ndërtojmë një urë të shtrenjtë për ta bërë kontrollin e pasaportave më të lehtë për udhëtarët, por kur BiH të hyjë në BE, asnjë nuk do ta përdorë atë. Ne do të humbim territor dhe nuk do të fitojmë asgjë," tha Berislav Zemunik .

"Nuk duhet të ketë ratifikim, nëse kufijtë e Kroacisë janë pjesë e tij. Nuk duhet që interesat e huaja të jenë arsye për të ndryshuar kufijtë tanë," thaStanislav Solc .

Kroacia, BiH dhe BE-ja kanë rënë dakord paraprakisht të takohen në shtator për të diskutuar zgjidhjen më të mirë. Nëse vendoset për urën, do të diskutohen edhe fondet e BE-së, nëse do të jetë "korridori" i autostradës nëpër Neum, BE-ja do të vendosë një precedent duke lejuar lidhjen e territorit të një shteti anëtar të BE-së nëpërmjet territorit të një shteti jo-anëtar të BE-së.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.