Blogerët turq të ndarë rreth politikës mbi Sirinë

04/08/2012

Në çështjet madhore të politikës së jashtme, turqit janë në përgjithësi të bashkuar. Megjithatë në lidhje me mënyrën se si duhet të përballet qeveria me krizën në Sirinë fqinje, ka një ndarje të thellë.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 04/08/12

Pak pasi Siria rrëzoi një avion luftarak turk në datën 22 qershor, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan ftoi liderët e opozitës për takime të veçanta rreth krizës.

Por tabloja e unitetit dhe një klimë e re bashkëpunimi mes udhëheqësve të qeverisë dhe opozitës ka zgjatur vetëm disa orë. Pasi disa detaje binin në kontradiktë me raportin e qeverisë për këtë incident, partitë e opozitës filluan edhe një herë të kundërshtojnë hapur politikën e qeverisë lidhur me Sirinë.

Kritikët laikë dhe nacionalistë akuzojnë qeverinë se mbështet hapur opozitën siriane, duke rrezikuar një luftë rajonale, një të çarë të re mes sekteve sunite dhe shiite dhe hapjen e rrugës për krijimin e shteteve islamike dhe kurde rreth Turqisë.

Nga ana tjetër, qeveria e Partisë AKP fajëson opozitën për mbështetjen e mizorive të regjimit të Asadit.

Në blogjet turke po evoluon një debat shumë emocional i frymëzuar shpesh nga retorika partiake apo teoritë e konspiracionit.

Blogeri Dogan Tarkankritikoi opozitën laike dhe nacionaliste se po i jep mbështetje në mënyrë të heshtur regjimit të Asadit dhe tha se ai kishte frikë se do të krijohej një shtet islamik apo ajo që perceptohet si rezistencë kundër imperializmit.

"Pasi qeveria e AKP është duke shijuar kohët e fundit marrëdhënie të mira me Sudanin, opozita akuzon Omar al-Bashirin e Sudanit për gjenocid dhe krime lufte. Por kur vjen puna për Asadin, opozita e shikon atë si një luftëtar anti-imperialist", shkroi Tarkan. "Nuk ka dallim mes Asadi dhe al-Bashirin, të dy janë diktatorë".

Qeveria AKP e Turqisë ka pasur marrëdhënie të ngushta me regjimin e Asadit gjatë dekadës së fundit. Ankaraja kishte shpresuar se marrëdhëniet më të ngushta me Sirinë do të lejonin që ajo të ushtronte ndikimin për të filluar një tranzicion demokratik dhe ekonomik në fqinjin e saj.

Por, pasi protestat kundër regjimit u shtuan në Siri, Turqia u bë një nga kritikët më të ashpër të regjimit sirian, duke drejtuar nisma diplomatike dhe duke siguruar mbështetje të hapur për grupet e opozitës.

Murat Can Bayraktar është skeptik për politikën e qeverisë së AKP-së. "Qeveria turke kishte prezantuar një politikë të re të jashtme me qëllimin "zero probleme" me fqinjët. Por sot ajo përballet me rrezikun e konfrontimit dhe luftës me pothuajse të gjithë fqinjët e saj. Sot ne përballemi me këtë realitet", shkroi ai.

Sipas një eksperti të marrëdhënieve ndërkombëtare, Faruk Ekmekci, debati i tanishëm mbi Sirinë në Turqi është shumë emocional dhe idealist.

"Ashtu si të gjitha vendet e tjera, politika e jashtme e Turqisë është e bazuar në interesa dhe nuk ka parime", shkroi ai. "Prandaj është e pakuptimtë që Turqia të akuzojë Rusinë, ose Iranin se janë të paskrupull", tha ai, duke kujtuar se si Ankaraja mbështeti regjimin e Sadamit për dekada të tëra për hir të stabilitetit rajonal.

Ekmekci propozoi që të ofrohen propozime konkrete nga vende si Rusia dhe Irani, që do të marrin parasysh interesat e tyre të sigurisë, në mënyrë që të fitohet mbështetja e tyre për një politikë të re për Sirinë.

"Nëse ne arrijmë të shohim natyrën realiste të vetë politikës së jashtme të Turqisë, atëherë mund të kuptojmë më mirë se është e gabuar të presë politika idealiste nga vende të tjera", shkroi ai.

Ilhan Tanir, një analist i politikës së jashtme i cili kohët e fundit vizitoi Sirinë, tha se qeveria turke duhet të vazhdojë qasjen e saj të ashpër ndaj regjimit të Asadit dhe t'i japë mbështetje të fortë opozitës, pavarësisht kritikave që Tanir i quajti të parëndësishme.

"Mos nuk ka rreziqe? Sigurisht që ka. Por Turqia është bërë mbrojtësi i popullit sirian në arenën ndërkombëtare. Dhe ajo do të ketë përgjegjësinë kryesore në vend pas rënies së regjimit, që unë besoj se nuk do të jetë shumë larg", shkruan ai.

Sipas Tanır, përfshirja e fortë e Turqisë në Siri është e nevojshme në mënyrë që të shmangen trazirat që ndodhën në Irak pas rënies së Sadam Huseinit. "Nëse Turqia nuk do të përballet me një kaos të ngjashëm në fqinjin ngjitur me të, ajo duhet të përshpejtojë përpjekjet e saj për Sirinë".

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.