23/06/2012
Shumica e blogerëve thonë se nuk besojnë se Dino Asanaj kreu vetëvrasje, dhe disa e lidhin vdekjen e tij së fundmi me marrëveshjet e dyshimta të privatizimeve në Kosovë.
Nga Safet Kabashaj për Southeast European Times në Prishtinë -- 23/06/12
Vdekja e papritur e kreut të agjencisë së privatizimeve Dino Asanaj tronditi shumë vetë, por përfundimi i raportit zyrtar të autopsisë se Asanaj kishte vdekur si pasojë e goditjes së vetes vazhdimisht me thikë, vazhdon të shkaktojë mosbesim dhe spekulime të gjera për diçka të pandershme.
Arsim Gerxhaliu, drejtor i departamentit mjeko-ligjore në Prishtinë, tha se kishte 11 plagë thike në qafën dhe kraharorin e Asanajt, dhe dy plagë fatale në mushkëri dhe zemër.
"Asanaj filloi duke shkaktuar prerje të vogla në qafë dhe më pas vazhdoi poshtë në kraharor", tha Gerxhaliu.
"Ky është një krim skandaloz që nuk mund të mbulohet me asgjë. Atë njeri e kanë vrarë", shkroi adhurimkrasniqi.
"Duhet të jesh samuraj dhe të kesh përkushtim të jashtëzakonshëm [për vetevrasje] që të mos kesh asnjë arsye për të jetur e të godasësh me thikë veten shtatë herë", shtoi Driton.
Disa, si Hayvani, që pretendon se është mjek, argumentojnë se thjesht nuk ka argumente shkencore për të arritur në përfundimin e vetëvrasjes.
"Shpjegimi i vetëm është se viktima nuk ka treguar shenja rezistence. Logjika e shëndoshë të bën të mendosh se ishte vrasje", tha ai.
Mjeku nga Prishtina Ali Hajra tha për SETimes se sipas opinionit të tij profesionist, vetëvrasja nuk është opsion për të shpjeguar vdekjen e Asanajt.
"Nëse filloi me prerje të vogla, nuk do të kishte mundur të kryente prerjen e fundit fatale. Nëse përkundrazi do të kishte kryer prerjen fatale në fillim, të tjerat nuk do të kishin ndodhur", tha Hajra.
"Megjithëse Dr. Gerxhaliu është një koleg [i respektuar], ka arritur në konkluzion shumë shpejt. Kjo ngjarje, numri i plagëve dhe konkluzioni do të bëhen një rast studimi për institutet mjekësore të Kosovës", shtoi Hajra.
Të tjerë duken të zemëruar dhe mendojnë se autoritetet e Kosovës po e trajtojnë çështjen lehtë, gjë që ushqen spekulime të përhapura për skenarë vrasjesh tipike për regjimet diktatoriale.
"Strategjia se si është vrarë, kush e ka kryer vrasjen, kush e ka detyruar të pritet me thikë dhe të shkruajë letër, janë të qarta se mund të ndodhin vetëm në një shtet mafioz -- të stilit të Al Kapones, Xhon Gotit apo Enver Hoxhës", tha malesoriny.
Një tregues i skepticizmit publik mund të jenë, mes mijëra komentesh, komentet e pakta në internet që mbështetin versionin e autopsisë zyrtare si shkak të vdekjes.
"Asanaj ishte shtetas amerikan dhe mjekësia ligjore ndërkombëtare ishte e pranishme në autopsi", tha Bush.
"Pasi Remzi Ejupi u shfaq në publik dhe rrëfeu se ai është i gatshëm të provojë për ndjekjen penale për pretendimet për mitmarrje [të Asanajt], Asanaj ishte thellësisht i shqetësuar dhe nuk ishte mirë nga ana psikologjike", tha Bush.
"Ai nuk është i vetmi që ka kryer vetëvrasje me thikë; zakonisht këta njerëz e godasin veten shumë herë", përfundoi Bush.
Por Nexhmedin Ejupi, kreu i ndërmarrjes së privatizuar Kosovatex, tha për SETimes se ai e njihte Asanajn përmes marrëdhënieve të ndryshme të biznesit.
Ejupi tha se ai nuk i beson përfundimit të autopsisë "edhe kur një ekip mjekësh ligjorë arrijnë unanimisht në një përfundim". Ka mënyra të tjera për të provuar atë që ka ndodhur, por kjo do të kërkojë kohë, shtoi ai.
Synfrom007 nxiti publikun të jetë më i duruar dhe të presë që prokuroria të kryejë hetimin e vet, pavarësisht rezultateve të autopsisë.
"Shenjat dhe provat në terren mund të jenë më të rëndësishme se raporti mjekoligjor, pavarësisht se provat mbështesin njërin apo tjetrin përfundim".