Sistemi arsimor rumun tronditet nga skandalet

26/05/2012

Plagjiatura që përfshiu dy ministra të arsimit është një goditje serioze për sistemin në Rumani dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.

Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht -- 26/05/12

Qeveria e re e koalicionit sapo e kishte marrë pushtetin në Bukuresht më herët këtë muaj, kur u trondit nga dy skandale të lidhura me plagjiaturë -- duke hapur një debat mbi faktin nëse sistemi arsimor i Rumanisë ka pësuar një humbje të plotë të besueshmërisë, si në vend ashtu dhe jashtë tij.

Kandidatja për Ministre e Arsimit Korina Dumitresku tërhoqi kandidaturën e saj, pasi mediat raportuan se ajo ka kopjuar një libër ligjesh që ka qenë bashkautore me bashkëshortin e saj.

Ditë më vonë, i emëruari i ri, profesor Ion Mang nga Universiteti Oradea në veriperëndim të Rumanisë, u akuzua për plagjiaturë për të paktën tetë librat e tij akademikë.

Mang këmbënguli se akuzat janë të motivuara politikisht, por ai dha dorëheqjen.

"Sistemi i tërë akademik në Rumani është i mbushur me plagjiaturë dhe nepotizëm. Këto janë sëmundjet endemike të tij", tha Stefan Vlaston, kreu i Shoqatës për Arsimim dhe Hulumtim që merret me reformën e arsimit, për SETimes.

Vlaston tha ministrat e caktuar të arsimit zgjidhen shpesh nga një grup kandidatësh, pa kualifikime, por kërkojnë poste që të korrin përfitime të konsiderueshme -- dhe shpesh janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për t'i arritur ato.

Të dy skandalet u shfaqën në mes të një debati të vazhdueshëm mbi gjendjen e dobët të sistemit arsimor në vend. Vitin e kaluar, qeveria liberal-demokrat instaloi video-kamera gjatë provimeve të diplomimit për të frenuar mashtrimin, mbas të cilës kalueshmëria ra në më pak se 45% -- më e ulëta që nga viti 2000.

Vlaston tha se është në proces një reformë për të frenuar plagjiaturën dhe nepotizmin, por ajo ka nevojë si për përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë ashtu edhe për mbështetje publike që të ketë sukses.

"Ligji i arsimit miratuar nga qeveria e mëparshme ka dispozita shumë të ashpra kundër plagjiaturës dhe nepotizmit në sistemin arsimor. Tani ne kemi institucione shtetërore, të tilla si Këshilli i Etikës për Hulumtime, që mund të kontrollojë dokumentet akademike për plagjiaturë. Pas një viti e gjysmë, ne mund të ndiejmë përparim të rëndësishëm në luftimin e nepotizmit në universitete, ku 50% e punonjësve janë vlerësuar më parë se nuk kanë vlera akademike," tha ai.

Shumica e blogerëve thanë se skandalet janë edhe më të rënda se sa duken.

"Ne po flasim për një plagjiaturë fjalë-për-fjalë nga një profesor universitar, një pro-rektor, një deputet, një ministër, një njeri që shihet nga qeveria si përfaqësues i komunitetit akademik rumun," tha Dr. Virgil Iordache, një studiues në Fakultetin e Biologjisë të Universitetit të Bukureshtit.

Partizanu argumentoi efektet e plagjiaturës -- shoqëruar shpesh me nepotizmin - duke i bërë rumunët të pyesin se kush e menaxhon reformën e sistemit arsimor.

"A mësuesit të motivuar për të qenë korrektë në rrethana të tilla? Nëse duam konkurrencë të ndershme në shkolla dhe universitete, atëherë situata varet edhe nga mësuesit dhe profesorët. Kur ata kanë si model Z. Mang apo paraardhësen e tij, çfarë progresi mund të presim?" tha Partizanu.

Shoqata Ad Astra e shkencëtarëve rumune tha se "është thelbësore në Rumani që çdo zyrtar i lartë, që është provuar të ketë plagjiaturë, të largohet menjëherë dhe t'i hiqet titulli akademik. Kredibiliteti i Rumanisë në botë varet pikërisht nga fakti se personalitetet shtetërore janë të paprekshëm".

Kërkesa është edhe më e domosdoshme për t'u zbatuar pasi ministria e arsimit dhe kërkimit është në rrezik, thotë komunikata.

"Nuk ka arsye të tjera profesionale që mund të justifikojë pushtimin e një zyre publike nga një person ... gjetjen fajtor për plagjiaturë dhe mashtrimin profesional. Mosrespektimi i këtij parimi është jashtëzakonisht i dëmshëm për akademikët e tjerë, nxënësit dhe studentët si dhe për të gjithë shoqërinë", tha shoqata.

Në një artikull postuar në VoxPublica, një platformë blog, Constantin Cretan tha se plagjiatura nuk është luftuar kurrë në mënyrë serioze në Rumani.

"Të dy ministrat e arsimit ... nuk janë përjashtime për fat të keq, por ato përfaqësojnë rregullin e përgjithshëm", shkruante ai, duke iu referuar një rasti të ngjashëm vite më parë. Në tetor 2003, ministrit të shëndetësisë Mirçea Beuran iu desh të jepte dorëheqjen pasi një komision me Universitetin e Mjekësisë në Bukuresht përfundoi se ai kishte kryer plagjiaturë.

Skandale të ngjashme kanë shpërthyer në rajon dhe në Evropë. Më 2 prill, presidenti hungarez Pal Schmidt u largua pasi iu hoq doktoratura pas akuzave për plagjiaturë.

Në mars 2011, ministri gjerman i mbrojtjes Karl-Theodor Guttenberg dha dorëheqjen pasi media zbuloi se ai kishte kryer plagjiaturë me tezën e doktoraturës në vitin 2006.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.