24/07/2009
Ka patur një shkëmbim të ndezur pikëpamjesh në botën e blogut pas hyrjes së Kosovës në dy institucionet financiare ndërkombëtare.
Nga Besa Beqiri për Southeast European Times në Prishtinë – 24/07/09
Banka Botërore dhe FMN pranuan Kosovën si një anëtare të tyre muajin e kaluar, një hap i rëndësishëm në sigurimin e ndihmës aq të nevojshme ndërkombëtare dhe konfirmimin e statusit të pavarur të Kosovës.
Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Pieter Feith përshëndeti lajmin. "Pranimi i Kosovës në FMN do të jetë një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës." Ai shpjegoi se "bashkëpunimi rajonal dhe botëror përmes institucioneve ndërkombëtare, shpie në stabilitet, begati dhe pajtim."
Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës ka qenë një çështje debati pasi Serbia dhe Rusia nxitën aktivisht anëtarët të kundërshtonin kërkesën e Prishtinës.
Siç pritej, shumë blogerë të Kosovës ishin të ngazëllyer, duke shprehur mendimet e tyre në hapësirën për komente të së përditëshmes së Prishtinës Ekspres.
Por shpejt një shkëmbim i ndezur postimesh doli në B92 me qendër në Beograd. "Pra kjo është ç'farë është bërë me FMN! T'i japë kredi një ekonomie tregu të zi. Faleminderit FMN!" shkruan MikeC.
"Çfarë ekonomie?" pyet në mënyrë retorike d dhe përgjigjet: "supermarkete, stacione gazi, restorante dhe më e rëndësishmja lavazh makinash".
Ian ja kthen duke theksuar rëndësinë e madhe të anëtarësimit. "[Ajo] do t'u tregojë vendeve që janë ende të pavendosura mbi njohjen e Kosovës se Kosova është atje për të qëndruar dhe se ajo po bëhet pjesë e jetës së përditshme në bashkësinë ndërkombëtare."
Jo kaq shpejt, paralajmëron Ron. "Për aq sa Feith siguron se asgjë nuk ndodh kundër [rezolutës së OKB] 1244", integriteti territorial i Serbisë është ruajtur. "Kujtoni: 1244 vlen ende. Ka ardhur koha që shqiptarët të nisin ta njohin këtë fakt!"
Svabo shton, "Rreth 5% e fondeve të FMN do të shohin përfundimisht dritë. Pjesa tjetër do të futet në xhep nga batakçinjtë e Kosovës që vinë vërdallë dhe terrorizojnë vendin."
Por AgimY ja kthen. "Nga kush po lyp pare Serbia këtë javë? " pyet ai. "FMN, Banka Botërore, bankat europiane, BE ... apo të gjitha këto"?
"Serbia po merr qindarka," krahasuar me Kosovën. "Kosova është fëmija bastard i Europës. As e vret e as e kthen dot mbrapsht ... Pra hidhi tonelata parash dhe lutu," thotë Mike C.
"Ju të gjithë që merreni me Kosovën," këshillon Olf, "pse nuk përqëndroheni në të njëjtat probleme që ka Serbia në vend të kësaj?" Ai shton se si Kosova, "Serbia ka kaq shumë probleme [me] korrupsionin, krimin e organizuar. ... ka boll për të bërë në Serbi, lëreni rehat Kosovën."
Ment ofron një pikëpamje më të moderuar, një të tillë që i mban anën cilitdo. "Unë marr vesh se ky nuk është një lajm i madh për disa që komentojnë në këtë faqe ... por unë shpresoj se ata kuptojnë se çdo përmirësim në ekonominë e Kosovës nëpërmjet ndihmës së FMN ka të ngjarë të jetë në dobi të serbëve të Kosovës po ashtu ... veçanërisht të atyre që jetojnë në jug të Mitrovicës."