Oficerët serbë të Kosovës i japin fund bojkotit

03/07/2009

Të gjithë, me përjashtim të 18 serbëve të Kosovës, vendosën të kthehen në punë në Shërbimin Policor të Kosovës.

Nga Besa Beqiri Southeast European Times në Prishtinë -- 03/07/09

Në fund të muajit të kaluar, 307 oficerë të policisë serbë të Kosovës vendosën t'i japin fund një largimi prej 16 muajsh dhe të kthehen në Shërbimin Policor të Kosovës (KPS) të martën (30 qershor). Ata ishin larguar nga vendet e tyre të punës për të protestuar deklarimin e njëanshëm të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në shkurt 2008.Për një farë kohe oficerët morrën pagat dhe atyre iu ofruar disa afate kohorë për t'u kthyer në punë.

Më në fund, KPS u dha atyre një afat kohor të rreptë të 30 qershorit për të raportuar në detyrat e tyre ose do të pushoheshin. Pjesa e mbetur prej 18 oficerësh ende mund të kthehen. Megjithatë, nëse ata nuk e bëjnë këtë, qeveria planifikon një thirrje për rekrutim në bashkësinë serbe për të mbushur pozicionet e tyre.

Misioni i BE-së për rendin e së drejtës në Kosovë -- EULEX -- e përgëzoi kthimin e oficerëve dhe vlerësoi "profesionalizmin" e atyre që qëndruan në pozicionet e tyre për të ruajtur ligjin dhe rendin, "pavarësisht prej presioneve politikë".

Ministri për Kosovën i Serbisë Goran Bogdanoviç tha më parë se bisedime intensive ishin duke u zhvilluar me misionin e EULEX.

"Ne jemi shumë pranë një zgjidhje, pasi është absolutisht e paimagjinueshme që serbët në veri të Kosovës të jenë në KPS dhe serbët në jug të Ibarit të largohen nga KPS," tha ai.

Duke ditur rreziqet e lartë të sigurisë në jug, Serbia së shpejti mund t'u bëjë thirrje oficerëve që të kthehen nëse përmbushen disa kushte.

"Ne tashmë kemi rënë dakord se policia e UNMIK duhet të jetë në të gjithë stacionet dhe nën-stacionet. Ne jemi pranë një marrëveshje që zëvendës/shefi të jetë një përfaqësues i bashkësisë serbe, përmes të cilit do të kalojë zinxhiri i komandës, nëpërmjet misionit EULEX dhe unë shpresoj se do t'u bëjmë thirrje serbëve që të kthehen shumë shpejt në KPS," tha Bogdanoviç, siç citohet nga B92.

Blogerët reaguan shpejt.

"Afati kohor përfundoi! Ç'farë 'bisedime intensive' dhe me kë?" pyeti miri në blogun e faqes së lajmeve mbi kryeministrin serb të B92.

Kosova-USA komentoi mbi ndikimin që kthimi i oficerëve mund të jetë vetëm nën një zinxhir të komandës së UNMIK. "Në veri ata veshin uniformat e policisë së Kosovë dhe mos më thoni se ata i japin llogari komisionerit të policisë të UNMIK, sepse nuk ekziston një i tillë më në Kosovë," tha ai.

Megjithatë, Milan, një serb, mendon se kthimi i vetëm i ligjshëm është nën një zinxhir komande jo të Kosovës. "Bravo, oficerë!" shkruan ai me sarkazëm. "Ju mund të ktheheni, por si policë të komanduar në mënyrë ndërkombëtare, jo në një forcë policore të një pseudo-shteti të paligjshëm."

AdamSRB gjithashtu kundërshton çdo vendim për kthimin. "Çdo serb që bashkohet me KPS do të konsiderohet si një tradhtar … prandaj kjo nuk do të ndodhë kurrë!".

Por Drenicaku beson se oficerët serbë të Kosovës nuk kishin asnjë zgjidhje përveç kthimit. "Nuk ka asnjë rrugëdalje për ata," shkruan ai.

Më në fund, kosovaman shpreh shpresat kosovare dhe shqiptare. "Gëzohem që janë kthyer dhe shpresoj që të gjithë serbët vendas të distancohen prej politikave të vjetra dhe të bashkohen me institucionet e Kosovë, në mënyrë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne