10/08/2007
Një përqindje e madhe e udhëtarëve të biznesit dhe shqiptarëve që banojnë jashtë mund të jetë arsyeja për vendin e parë të Shqipërisë në një listë të Organizatës Botërore të Turizmit, sugjerojnë blogerët.
Nga Klodjan Seferaj për Southeast European Times – 10/08/07
Shqipëria fiton nga çdo turist më shumë se çdo vend në botë, sipas Organizatës Botërore të Turizmit. Nga që ekonomia e vendit dhe industria e turizmit të tij nuk janë plotësisht të zhvilluara, renditja është disi e papritur. Blogerët në peshkupauje përpiqen të shkoklavitin misterin.
"Shqipëria fiton më shumë për çdo turist që hyn në vend, krahasuar me vende të tjera," shkruan Blendi. "Në fakt, edhe pse mund të duket e çuditshme dhe mund të të habisë, ka shtete në botë si Moldavia, Libani dhe Bjellorusia që fitojnë më shumë nga turizmi se sa ishujt e parajsave që kanë sisteme pa taksa.
"Kjo mund të ndodhë për shkak se vizitorët janë kryesisht biznesmenë dhe në vendet ku infrastruktura është e papërshtatëshme kostot janë më të larta," shton ai.
Penar nuk është i bindur. "Jam dakord se shumica e turistëve të Shqipërisë vijnë këtu për biznes dhe si rezultat i kësaj shpenzojnë më shumë se turistët normalë. Por nuk është e çuditshme që sasia e parave nga turistët që vizitojnë Shqipërinë është tre herë sa sasia në çdo vend tjetër?"
Ndoshta puna është te përkufizimi i shlirët i "turizmit". "Problemi është se edhe emigrantët shqiptarë që kthehen në vend të vizitojnë familjet quhen turistë. Në Shqipëri nuk ka statistika të sakta për numrin e turistëve dhe të ardhurat e tyre," sugjeron Leon.
Duke shkruar në shekulli, ndërkohë, Thano shqyrton një piketë politike të kohëve të fundit në vend: zgjedhjen e një kreu të ri shteti.
"Bamir Topi është presidenti i ri i Shqipërisë së vogël,' vë në dukje ai. "Na duhet të themi se presidenti i ri ka një kompleks të madh varur mbi sjelljen e tij të ardhme politike për shkak se ai është produkt i një marrëveshjeje. Varet prej tij të na tregojë në se mund ta kapërcejë këtë kompleks...në qoftë se ai do të ketë vullnetin dhe forcën të veprojë siç mendon dhe jo i diktuar nga Sali Berisha, kreu i partisë së tij politike dhe kryeministri i vendit."
Marko komenton: "Nuk duhet t'i japim presidentit ca kohë që të shohim se kush është ai në të vërtetë? Ai ka nevojë për mbështetje. Së paku atë çka ai nuk mund ta gjejë tek politikanët mund ta gjejë në 'shtypin e lirë' dhe në shoqërinë shqiptare, e cila do një president të tipit të ri, apolitik dhe të pavarur nga askush."