14/08/2012
Peizazhi politik në shumë vende të Evropës Juglindore është i dobët e votuesit pushojnë së qëni shqetësimi kryesor i partive.
Nga Aleksandar Pavlevski për Southeast European Times në Shkup -- 14/08/12
Politikanët e partitë anembanë rajonit po braktisin shpesh idealet e tyre e po kalojnë nga fryn era politike e marrin ose mbajnë kontrollin e tyre mbi pushtetin, thonë analistët. Rezultati është një baltovinë e koklavitur për votuesit që nuk mund të mbështeten më tek partitë të përfaqësojnë besimet e tyre.
"Partitë politike kanë kohë që kanë braktisur traditat ideologjike e bazat e forta politike të tyre e janë bërë parti të ashtu-quajtura 'mblidhni të gjitha,' që u ofrojnë shtetasve gjithçka vetëm që të vijnë në pushtet," tha për SETimes Biljana Vankovska, një profesore në Fakultetin e Drejtësisë Justiniani i Parë në Shkup.
Rezutati përfundimtar kërcënon t'u heqë iluzionet votuesve në demokracitë e mitura të rajonit.
"Ata na kanë braktisur e askush nuk punon për popullin, vetëm për vete të tyre," tha për SETimes Stanka Biliç, 72 vjeç nga Beogradi.
Në Maqedoni, dy kundërshtarët më të hidhur politikë janë bashkuar për të rrëzuar qeverinë me një koalicion që nuk ka ideologji politike ose program të përcaktuar politiko-ekonomik. Koalicioni mes Bashkimit Social Demokratik të Maqedonisë (SDSM) e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH) formon atë që e quajnë "koalicioni i parë shumë-etnik" përpara zgjedhjeve vendore të marsit 2013.
"Shtetasit e anëtarët e partive vetë janë të ngatërruar për atë se ç'farë ideologjie do të nxisin e ç'farë do të ofrojnë kur nuk ka program zgjedhor, përveç dëshirës për të ardhur në pushtet pas gjashtë mposhtjesh me radhë," tha për SETimes Viktor Trifunovski, pronar i ndërmarrjes Inter Kargo.
Vankovska tha se nga mungesa e parimeve ideologjike, partitë janë duke u bashkuar së bashku në një mënyrë kuturu me asgjë të përbashkët e pa vizion të përbashkët udhëheqje.
"Shtetasit ... e shohin opozitën si pasive e pa ide sesi të zgjidhë krizën ekonomike. Problemet janë sistematike he shumica e politikanëve që janë përpjekur t'i zgjidhin ato është vërtetuar të jenë të pa-aftë e të korruptuar," tha Vankovska.
"Shumica [e votuesve] në Maqedoni e kanë vendosur besimin e tyre te qeveria ose tek partia në pushtet VMRO-DPMNE e partneri i koalicionit të saj, gjashtë herë me radhë, sepse ajo ka ofruar një program të qartë. Për herë të parë në demokracinë shumë-partiake të Maqedonisë, ajo po e mban veten përgjegjëse ndaj publikut mbështetur në ç'farë lloj rezultatesh arrin ajo," tha për SETimes Stevko Dojçinski, një banor i Prilepit.
Në vend të punës për një vizion politik më të mirë për të përmirësuar politikat praktike publike, ka përjashtime e pandershmëri të ndërsjella mes të majtës e të djathtës, gjë që i tjetërson shtetasit nga politikanët, sipas analistëve në rajon.
"Shumë njerëz mendojnë se zgjidhja është në demokratizimin e partive politike ose në zëvendësimin e elitave të korruptuara ose shfaqjen e partive të reja. Hapa të mirë mund të përmirësojnë gjendjen, por vetëm në afatin e shkurtër," tha Vankovska.
Besimi që votuesit kanë vendosur tek qeveria nuk është vetëm sepse partitë në pushtet ofrojnë një program e punojnë në mënyrë transparente për t'a arritur atë, por gjithashtu sepse opozita nuk ka ofruar ide apo suaza alternative," tha për SETimes Branisllav Todorovski, një banor i Shkupit.
Në Serbi, Partia Social Demokratike e opozitës që ishte pjesë e listës së Partisë Demokratike, u largua nga koalicioni i majtë dhe u bashkua me koalicionin në pushtet në mes të korrikut.
"Ky ishte një nga vendimet më të vështira që kam bërë me kolegët e mi në parti. Jam i vetëdijshëm se kjo është moralisht e diskutueshme e për shkak të kësaj kam një shije të hidhur në gojë, por zgjodhëm mes mbijetesës e zhdukjes së SDPS-së ," tha udhëheqësi i partisë Rasim Ljajiç më 19 korrik
Xhorxhe Vukoviç, i OJQ-së Qendra për Zgjedhjet e Lira e Demokracinë, tha se ligji mbi zgjedhjen e anëtarëve të parlamentit nuk është problemi kryesor, por është përzgjedhja e personelit brenda partive.
"Partitë po kritikojnë tani anëtarët e parlamentit që largohen prej tyre duke kaluar në një grup tjetër parlamentar. Kjo lyp pyetjen sesi i rekomanduan për votuesit ata anëtarë të parlamentit dhe sesi i përfshinë në listat e tyre," tha Vukotiçi për SETimes .
Partitë e koalicionit të Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) ndjekin parimin "secili me gjithsecilin," duke treguar pikërisht sesa e vështirë është të jesh udhëheqës politik, le më të jesh një alternativë cilësore ndaj opsionit politik në pushtet.
Tani është e vështirë të thuash se kush është në pushtet e kush është në opozitë në BiH. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit 2010, shteti pati një qeveri në të cilën partitë fituese Social Demokratët (SDP) e Partia për Veprimin Demokratik (SDA), u bashkuan në një koalicion.
Por koalicioni u rrëzua qershorin e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth drejtimit politik të BiH-së, gjë që e la SDA në opozitë.
SDA kishte akuzuar më parë SDP për dhënien autoritet më të madh kantoneve e duke dëmtuar kështu stabilitetin politik në BiH.
"Partitë humbën kuptimin ideologjik të tyre sepse interesat personale janë bërë përparësia e tyre. Kështu, votuesit pushuan së qeni mjeti për përmirësimin e të ardhmes së tyre. Kjo është arsyeja kryesore se pse SDA po largohet nga pozita politike udhëheqëse në BiH e ka të ngjarë të shkojë në kujtesën tonë. Votuesit thjesht nuk e njohin vetveten në të njëjtën ideologji që nga lufta e deri tani," tha për SETimes Mirza Beçiroviç, profesor në Universitetin e Tuzlës.
Ekspertët thonë se mungesa e elitave politike është një shkak kryesor i problemit.
"Krijimi i tyre zakonisht kërkon një kohë të gjatë, por në vendet më pak të zhvilluara kërkon edhe më gjatë e kjo është se pse kemi këtë gjendje të opozitës së pa konsoliduar, ndonëse mund të themi të njëjtën gjë për partitë në pushtet," tha për SETimes Qani Mehmedi, botues i Infopress e një komentator politik me qendër në Prishtinë.
Ai shpjegoi se ajo për të cilën është e njohur opozita në Shqipëri është kundërshtimi i rezultateve të zgjedhjeve deri në pikën e bllokimit të sistemit politik.
"Nëse shqiptarët festojnë 100 vjetorin e shtetit shqiptar, ne në të njëjtën kohë shënojnë gjithashtu 100 vjet të shpërdorimit të votës së shqiptarëve. Pa zgjidhur problemin e respektimit të plotë të votës, nuk e kemi ndrequr pozitën, opozitën ose shtetin,' tha Mehmedi.
Në këtë artikull kontribuan korrespondentët e SETimes Igor Jovanoviç e Bojana Milovanoviç në Beograd.