18/06/2012
Ndërsa udhëheqësit politikë të rajonit gjejnë truall për mosmarrëveshje, grupet rajonale fetare kërkojnë gjuhën e përbashkët.
Nga Lily Linç për Southeast European Times në Beograd – 18/06/12
Ndërsa zgjedhja e kohëve të fundit e ish-ultranacionalistit Tomisllav Nikoliç si president i Serbisë ka shkaktuar tashmë disa mosmarrëveshje mes kreut të ri të shtetit e të tjerëve në rajon, dialogu ndërfetar mes përfaqësuesve të lartë të grupeve të ndryshme është aq i rëndësishëm sa kurdoherë.
Më parë këtë muaj, Patriarku Irenej, kreu i kishës ortodokse serbe, vizitoi Kroacinë, në atë që shumë në rajon e kanë gjykuar si një vizitë “historike.” Gjatë udhëtimit tre-ditor, Irenej u takua me udhëheqësin e kishës katolike kroate, Josif Bozhaniç, anëtarë të Konferencës së Peshkopëve Kroatë, Kryepeshkopin e Zagrebit, si dhe Presidentin kroat Ivo Josipoviç e Kryeministrin Zoran Milanoviç. Irinejit iu dha gjithashtu nga Kryebashkiaku i Zagrebit Milan Bandiç Urdhëri i Perandorit të Madh Konstandin.
Me zgjedhjen e Nikoliçit, që vjen i ngarkuar me polemikë lidhur me shoqërimin e tij të kaluar me Sllobodan Millosheviçin e të paditurin nga Haga Vojisllav Sheshelj, shumë janë frikësuar se procesi i pajtimit lidhur me luftrat ballkanike të viteve 1990 mund të bllokohet ose të bëjë pas.
Por disa besojnë se grupet fetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit. Siç u tha Josipoviçi gazetarëve gjatë vizitës së Patriarkut serb, “Në kohrat që krijojnë ndjenja që nuk janë në frymën e paqes e pajtimit, kontaktet mes kishave, besimtarëve, bisedimet e dialogu do të thonë shumë për paqen e pajtimin.”
Kisha ortodokse serbe pranoi se vizita ishte e rëndësishme për dialogun rajonal.
"Dëshironim që t'a bënim informacionin rreth vizitës së Patriarkut sa më publike që të ishte e mundur, prandaj bëmë një njoftim rreth vizitës në anglisht e serbisht dhe botuam një deklaratë të përbashkët nga Patriarku Irenej e Kardinali Bozhaniç në faqen tonë në internet,” tha për SETimes Dhjaku Ivica Kairoviç i kishës ortodokse serbe.
Takimi mes dy udhëheqësve fetarë në Kroaci ishte posaçërisht në kohën e dukur, duke ditur një polemikë të ndezur nga komentet që Nikoliçi bëri gjatë një interviste në maj me mediat gjermane. Nikoliçi tha për Frankfurter Allgemeine Zeitung se qyteti kroat i Vukovarit, që u dëmtua rëndë nga forcat serbe më 1991, ishte një “qytet serb” dhe se kroatët nuk kishin arsye të ktheheshin atje.
"Nëse deklarata e Z. Nikoliç do të thotë një kthim në idetë e viteve 1990, mund të them në emër të të gjithë shtetasve kroatë se këto ide nuk do të realizohen,” tha Josipoviçi.
Përfaqësuesit e qeverisë kroate nuk e ndoqën përurimin presidencial të Nikoliçit më 11 qershor në Beograd.
Disa analistë fetarë, megjithatë, besojnë se udhëtimi i Irenejit në Kroaci ishte thjesht një “vizitë protokolli.” Siç tha për SETimes Ivana Bartuloviç, një studjuese politike në Qendrën për Studime Fetare në Beograd, “mendoj se se kjo ishte më shumë një masë politike sesa ndonjë gjë tjetër.”
Në të njëjtën kohë, Bartuloviçi tha se ka shenja të tjera të bashkëpunimit ndërfetar në rajon e ndonse ato marrin më pak vëmëndje të mediave sesa vizita e Patriarkut në Kroaci, mund të ofrojnë më shumë truall të qëndrueshëm për pajtimin me kohë.
Qendra për Studime Fetare organizon programe arsimore për përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare në Serbi e në rajon, si dhe për besimtarë nga fe të ndryshme
Bartuloviçi tha se nëpërmjet këtij programi, organizatorët u përpoqën të “krijojnë komunikim të qëndrueshëm në këto çështje në të cilat grupe të ndryshme fetare mund të jenë dakort, si arsimi, kujdesi shëndetësor e shërbimi ndaj komunitetit.” Kohët e fundit, programi i arsimit ndërfetar është zgjeruar për të përfshirë diskutime për çështje si ekologjia e të drejtat e grave.
Në Kosovë, pak udhëheqës fetarë janë të gatshëm që të flasin hapur rreth dialogut ndërfetar ndonse Universiteti Amerikan i Kosovës ka organizuar veprimtari të tilla, duke përfshirë një takim të fundit në të cilin të gjithë udhëheqësit kryesore fetarë ndoqën një vizitë nga një përfaqësues i lartë i kishës anglikane.
Siç tha për SETimes Ivana Stevanoviç, një studjuese e pavarur mbi identitetin e diskutimin nga Beogradi, “këto ditë, mund të shohësh ndonjëherë udhëheqësit e të tre feve kryesore, islamike, katolike e ortodokse, që ecin bashkë nëpërmjet qendrës së Prizrenit. Kështu ata takohen. Për çfarë flasin, megjithatë, kjo është punë tjetër.”