Armiqtë e dikurshëm bashkohen për të pastruar Savën për biznes

04/06/2012

Qeveritë e Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë e Kroacisë kanë vendosur se është koha që të punojnë së bashku për të rigjallëruar Lumin Sava.

Nga Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 04/06/12

Sava ishte lumi më i gjatë i vendit në Jugosllavinë e Titos, duke gjarpëruar rrugën e tij nëpër atë që tani është Sllovenia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina e Serbia dhe tre nga kryeqytetet -- Lubljana, Zagrebi e Beogradi.

Tre nga katër vendet luftuan kundër njëri-tjetrit në vitet 1990 dhe lumi vetë -- kufiri natyror i përbashkët për të tre luftuesit -- mbajn ende vragat e betejës.

Vitet e konfliktit ndalën transportin e mallrave. Lumi u mbush me mina, disa nga të cilat mbeten sot. Mbetjet e urave të shkatërruara e mbeturina të tjera bllokuan ujrat. Sava u bë e palundrueshme dhe kur lundrimi u ndal, portet u mbyllën. Ndikimi më i gjërë ishte i thellë, duke prekur veprimtaritë ekonomike lidhur me lundrimin e jetën lumore në të tre vendet.

Sot, 13 vjet pas konflikteve, të tre vendet e Savës po përpiqen të trajtojnë këto çështje -- më kryesorja mes tyre -- rihapja e plotë e lumit ndaj lundrimit. Në maj, vendet nënshkruan marrëveshje mbi lundrimin e mirëmbajtjen teknike të rrugëve të Savës, si baza për punën e përbashkët e bashkëpunimin zyrtar.

Duke ditur gjendjen e tanishme ekonomike, të tre vendet që punojnë për të rigjallëruar lumin varen nga ndihma nga fonde të ndryshme të BE-së, që janë mbështetur nga Banka Botërore.

Zhaneta Ostojiç Barjaktareviç, drejtore e institucionit më të vjetër në këtë fushë, të specializuar në lundrimin e rrugëve ujore -- Drejtoria për Rrugët Ujore të Brendshme në Beograd -- thotë se ndikimi ekonomik kërkon vëmendjen më të menjëhershme.

"Mund të kemi rrugë ujore fantastike, por kjo nuk është asgjë nëse nuk kemi porte, transport, investime ekonomike në këtë fushë e infrastrukturë. Transporti i çdo lloj malli nëpërmjet ujit është me koston më të efektshme, por portet për ruajtjen e mallrave janë gjithashtu shumë të rëndësishëm. Pa porte, do të jemi vetëm tranzit. Anijet lundrojnë këtu, por nuk ndalen," tha Barjaktareviçi për SETimes.

Portet që kanë arritur të qëndrojnë hapur janë tejet nën përdorim, duke penguar zhvillimin ekonomik vendor e rajonal. Porti në Bërçko, BiH, është një shembull. Kapacitetet e tanishme të tij janë të njëjta me ato që ishin përpara luftës, sipas një studimi të rastit së fundmi, të financuar nga Banka Botërore, një gjendje që çon në një stokim të mallrave në portet e Kroacisë.

Mustafa Nukoviç, drejtor i Portit të Bërçkos, tha për SETimes: "Nuk mund t'i shërbejmë gjithë këtij malli sepse Sava këtu nuk është pastruar ende. Ky është një proces në vazhdim e vazhdimësia e tij është shumë e rëndësishme për Qarkun e Bërçkos e mbarë rajonin, meqë ky lloj transporti ka kostot më të ulta të mundëshme. Por është e rëndësishme të thuhet se bashkëpunimi mes të gjitha vendeve të Savës luan rol kryesor në procese si ky, me qëllim që të gjenden fonde për to."

Ky bashkëpunim mes vendeve të Savës është kryesor gjithashtu për Autoritetin Portual të Slavonski Brodit të Kroacisë. "Eshtë e nevojshme të bëhen investime shtesë në zhvillimin e komunikacioneve të transportit me qëllim që të ri-aktualizohen korridoret e transportit. Për shkak të luftës në këto zona ... ato [mbeten] të harruara për investitorët e huaj e komunitetin e transportit," tha për SETimes Vjekoslav Jankoviç, jurist për Autoritetin Portual të Slavonski Brodit.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e harmonizimit të veprimtarive që kanë për qëllim kthimin e Savës në statusin e tij të mëparshëm të një korridorit natyror të transportit.

Lumi, gjithsesi është mënyra më e efektshme për të lëvizur një rang mallrash tutje-tëhu mes BiH-së, Kroacisë e Serbisë. Tashmë, vëllime të mëdha malli të lëngshëm, duke përfshirë karburantet e benzinës e naftës, si dhe sasi të rëndësishme mallrash të mëdha si qymyr, plehra kimike e prodhime metali transportohen nëpërmjet lumit.

Ndonse sasia e mallrave të transportuara është vazhdimisht në rritje, kapaciteti për transportin e mallrave është i nën-shfrytëzuar. Ka ndërmarrja të shumta që ndajnë synimin e përbashkët të rritjes së atij kapaciteti. Njëra prej tyre është Agent Plus, që specializohet në organizimin e transportit nëpër rrugët lumore brenda vendit e në det, trajtimin e anijeve, si dhe zhvillimin e dokumenteve për kontrollet doganore.

Zoran Netkoviç, drejtor i Agent Plus, mendon se marrëdhëniet e përmirësuara politike mes tre vendeve kontribuan në lidhje më të mira ekonomike, që nga ana e saj kontribuoi në rëndësinë e Savës lidhur me tregtinë. Ai mendon gjithashtu se kapacitetet e lumit tashmë po përdoret siç duhen.

"Problemi kryesor është lundrueshmëria gjatë pjesës më të madhe të vitit, [duke ditur] nivelet e ulta të ujit që shpesh është shumë e vështirë të parashikohen. Problemi tjetër është ndodhja e pengesave ranore, dukuri që nuk mund të riparohet me masa rregullatore. Por ka elemente në të cilat është objektivisht e mundur të ndikohet, si orët e punës të doganave e autoriteteve të kufirit me qëllim që të kryejnë kontrolle," në një mënyrë më në kohë, duke vënë në dukje se nuk punojnë në fundjava," tha ai për SETimes.

Me qëllim që të përdoren të gjitha kapacitetet gjeografike të lumit për qëllime të ndryshme -- dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të saj -- 17 dhoma tregtie nga zona nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit Rajonal. Kjo ishte një përkujtesë simbolike për sferën e projektit "Rajoni ekonomik në basenin e Lumit Sava" që përfshin një treg prej rreth 6.9 milionë njerëzish dhe afërsisht 140,000 biznese.

"Qëllimet e këtij projekti e bashkëpunimi rajonal janë zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, infrastrukturës, mbrojtjes mjedisore, turizmit e bashkimit të shkencës e praktikës me ndikimet përfundimtare të forcimit të bashkëpunimit ndër-kufitar, zhvillimit të qëndrueshëm e integrimit të shpejtë evropian. Lumi që bashkon njerëzit me të gjitha mundësitë e tij është shtylla kurrizore e bashkëpunimit që ka për qëllim arritjen e këtyre objektivave," tha për SETimes Dragan Stefanoviç, sekretar i Dhomës së Tregtisë të Beogradit të Shoqatës për Transportin e Komunikacionet.

Mundësia për turizmin shtrihet në liqenet e ushqyer nga Sava: Ada në Beograd e Jarun në Zagreb janë vende tërheqëse si për turistët vendas, ashtu edhe ata të huaj. Liqeni i Adës quhej "Deti i Beogradit" dhe priti këtë vit Kupën Botërore të Barkave me Rrema.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.