21/05/2012
Të mbrojtur gjatë nga moszbatimi i ligjit në Ballkanin Perëndimor, operacionet e kumarit janë tani në objektivin e policisë.
Nga Aleksandar Pavlevski për Southeast European Times në Shkup – 21/05/12
Kumari po bëhet gjithnjë e më tepër, një prirje shqetësuese bazuar në lidhjet e tij me drogimin dhe veprimtaritë lidhur me krimin. Ai gjithashtu ka një ndërlikim shumë më të gjerë përtej vuajtjeve individuale: një efekt potencial negativ masiv në ekonominë në përgjithësi.
Në Greqi, një vend grirë nga shkurtimet e buxhetit, Evgenios Xhanakopulos, kreu i agjensisë mbikqyrëse Komiteti për Vëzhgimin dhe Kontrollin e Kumarit, vlerëson se të ardhurat nga lojrat ilegale shkojnë në mbi 7 miliard euro në vit, asnjë nga të cilat nuk derdhet në buxhet.
Bosnje dhe Herzegovina (BiH) ka të përllogaritura 1,250 vende për tipe të ndryshme bastesh dhe kumari, që e vë BiH në krye të listës së Evropës lidhur me vëllimin. E dyta në listë është Serbia e cila, sipas statistikave zyrtare, ofron 1,208 vende të regjistruara bastesh.
Por janë të paregjistruarat që i mbajnë të ardhurat jashtë arkave të shtetit.
"Supozohet se janë po aq [struktura] të basteve sportive që punojnë në zonën gri. Kështu që buxheti i shtetit humbet dhjetra miliona euro çdo vit," i tha SETimes Zoran Puhac, i Shoqatës serbe të Ofruesve të Lojrave, duke vënë në dukje se e njëjta gjë ka gjasë të jetë e vërtetë në BiH.
Dhe në BiH, ku një në pesë vetë luan lojra fati, rreth 500,000 vetë mund të konsiderohen të dhënë pas tyre.
Përballë gjithë kësaj, disa vende në rajon po lidhen së bashku për të luftuar krimin e lidhur me lojra, duke përfshirë në një operacion, kapjen e mijra makinave të lojës me vlerë mbi 10 milion euro.
"Kumari është rritur ndjeshëm në vitet e fundit ndërsa kriza ekonomike përparon. Shtetasit e varfëruar kërkojnë strehë në kumar, si në atë të ligjëruar dhe atë të paligjshëm në Meqedoni, Serbi dhe Kosovë. Operacionet e kohëve të fundit të policisë kanë një ndikim vendimtar pozitiv në krejt shoqërinë në rajon," i tha SETimes Trajçe Arsov, një avokat nga Shkupi që punon në rastet lidhur me kumarin.
Një operacion në proces, quajtur Shpërthyesi, ka pastruar shumicën e krimit në pjesën lindore të Maqedonisë. Në vetëm katër qytete, policia kapi 840 makina pokeri dhe lojrash të tjera fati. Rreth 30 vetë u arrestuan për operimin e paligjshëm të bizneseve të kumarit dhe shumë të tjerë po kërkohen ende. Dallimi këtë rradhë është se policia po i godet rrjetet, duke mos i mbrojtur ato.
"Shpërthyesi përfaqëson anën e zezë të shoqërisë dhe pjesëmarrjen e pushtetit midis individëve apo grupeve që fshihen prapa vellos së mbrojtjes reale apo fiktive politike dhe mbrojtjes së policisë. Të tillë njerëz për shumë vjet ja dolën të terrorizojnë dhe trëmbin...popullsinë në qytetet e vegjël dhe ekonomikisht të pafavorshëm," i tha SETimes Frosina Remenski, një profesore në fakultetin e sigurisë të Shkupit.
Sipas ministres së punëve të brendëshme Gordana Jankulovska, ditët e vjetra të mbrojtjes së kriminelëve kanë marrë fund.
"Do të doja t'u thosha atyre që mendojnë se mund të fshihen prapa përkatësisë politike, porfesionit apo angazhimit të tyre në disa institucione se asgjë nuk mund t'i ndihmojë ata në qoftë se kanë kryer një krim dhe të gjithë ata do të sillen në drejtësi."
Grupi i arrestuar së fundmi në Maqedoni nga sa thuhet zhvaste para nga pronarët e bareve lokale, përdorte kërcënime e dhunë, organizonte kumar të paligjshëm dhe qe përfshirë në trafikimin e paligjshëm të drogës dhe mallrave me aksizë. Dhe kjo, ishte vetëm maja e ajsbergut, thotë Arsov.
Ajo çka filloi me kapjen e mbi 800 sllot makinave përfundoi me zbulimin e kazinove që vepronin pa licensë, që nuk deklaronin të ardhurat apo taksat dhe që pajtonin punëtorë të padokumentuar, tha ai. Kjo "hap një hapësirë për zgjerim të hetimit penal kundër të tjerë shkelësve ... në cilësinë e ndihmësve, nxitësve apo bashkëfajtorëve. Këtu unë mendoj kryesisht për zyrtarë nga administrata e doganave pa të cilët nuk mund të hynte e pa vënë re asnjë sllot makinë."
Ai gjithashtu përmend "personat përgjegjës në Zyrën e të Ardhurave Publike që nuk bënë kontrolle të rregullta në secilën kazino individuale. Të gjithë këta njerëz janë një lidhje e rëndësishme në zinxhirin e krimit të organizuar, jashtë kufijve të shteteve, sepse pa ndihmën e tyre [krimet] vështirë se zbatohen. Këto lloj operacionesh ndodhën gjithashtu në Serbi."
Shumica e paisjeve të kumarit ilegal në Maqedoni vjen nga Bullgaria dhe Kosova dhe kjo lidhje nuk ka humbur për ekspertët.
"Procesi i porositjes, pagesës, transportit, hyrjes në vend, doganës dhe përcjelljes së dokumenteve, transporti i brendshëm, strehimi lokal dhe përdorimi i paisjeve duhet të jenë gjurmët që duhet të provojnë ...përgjegjësinë e autoriteteve kompetente dhe personave që u është kërkuar të parandalojnë dhe raportojnë hyrjen ilegale të paisjeve të pokerit," tha Remenski.
Ajo shpjegoi se biznesi i kumarit dhe llotarive janë nën mbikqyrjen e intensive në BE dhe vendet anëtare të tilla si Bullgaria, për të reduktuar krimin ekonomik dhe financiar dhe për të parandaluar kushtet për daljen e bizneseve ilegale të shoqëruara nga lojrat e rrezikshme dhe hyrja ilegale e mjeteve të pokerit.
"Operacioni Shpërthyesi tregoi se si ky lloj biznesi mund të kapërcejë kufijtë," shtoi Remenski.
Megjithatë, Shpërthyesi nuk u zgjerua në pjesën perëndimore të Maqedonisë, si në Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Strugë, ku policia ka informacion se grupe kriminale nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera janë të shoqëruara me klanet lokale të krimit.
"Këto lloj grupesh ekzistojnë në Tetovë, bashkë me kumarin ilegal. Edhe fëmijët e dijnë. Sapo vjen errësira, vendet e kumarit janë hapur. Ato duken si dyqane të zakonshme. Kanë të ardhur nga Kosova dhe Shqipëria dhe ato [do të thonë] të ardhura të mëdha për pronarët lokalë të kumarit të paligjshëm," i tha SETimes Arben Shpatimi, 60 vjeç, nga Tetova.
"Më vjen keq për të rinjtë që gjithnjë e më tepër janë të zhytur në këtë biznes të pistë. Unë kam nipër që [e kanë mendjen në] bastet e sportit gjithë ditën. Ata nuk punojnë gjëkundi dhe shpenzojnë paratë që fitojnë prindërit e tyre," shtoi ai.
Një sondazh i kohëve të fundit për të rinjtë në Malin e Zi gjeti se 43% e të miturve enden nëpër bastet sportive apo lojra të tjera fati. Kjo, megjithse ligji ndalon të rinjtë nga hyrja në strukturat aktuale të kumarit.
Olivera Komar, e agjensisë kërkimore DeFacto Consultants, gjeti se mosha mestare për të nisur bastet sportive është 11 vjeç dhe i përgjigjuri më i vogël ishte vetëm 5 vjeç. Arsyet më së shumti që përmenden nga të rinjtë janë fitimi financiar, rritja e adrenalinës dhe zbavitja.