30/04/2012
Kosova e Turqia kanë atë që ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e përshkruan si "marrëdhënie të arta", lidhje të forta politike e ekonomike lidhur së bashku nga afërsitë fetare e kulturore të krijuara gjatë mbi pesë shekujsh të sundimit otoman.
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë -- 30/04/12
Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt 2008, Turqia ishte mes vendeve të parë që e njohu atë. Duke vepruar me shpejtësi në muajt që pasuan, Kosova hapi një ambasadë në Turqi deri në fund të vitit. Bekim Sejdiu u emërua i ngarkuar me punë për të mbikqyrur krijimin e saj dhe më pas u emërua ambasador në Turqi.
Që nga ajo kohë, "Marrëdhëniet [janë zhvilluar] mbi një bazë shtet me shtet. Ky nuk ishte rasti gjatë nëntë viteve të administratës ndërkombëtare në Kosovë," tha Sejdiu për SETimes.
"Së dyti, krijimi i marrëdhënieve diplomatike dhe hapja e ambasadave në vende përmirësuan komunikimin dhe bashkëpunimin mes të dy vendeve. Ka gjithashtu faktorë të tjerë gjeopolitikë, ekonomikë e të natyrave të tjera, që ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet."
Zyrtarë të Kosovës e Turqisë kanë bërë vizita të shpeshta në vendet e njëri-tjetrit. Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan ishte zyrtari më i lartë që vizitoi Kosovën më 2010. Pikërisht muajin e kaluar, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ishte në Stamboll ku u takua me homologun turk të saj Abdullah Gul.
Jahjaga vlerësoi ndihmën e mbështetjen që Turqia ka dhënë e bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë, veçanërisht në tregti.
Gjatë dy viteve të fundit, ndërmarrjet turke kanë fituar oferta për disa projekte publike strategjike në Kosovë.
Konsorciumi turk-amerikan Bechtel-Enka po ndërton autostradën e parë të Kosovës, e cila e lidh atë me Shqipërinë në jug dhe me Serbinë në veri. Ky projekt ka krijuar rreth 4,000 vende pune.
Ndërmarrja turke Limak fitoi tenderin për të administruar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që është duke u rinovuar e zgjeruar. Ndërmarrjet turke janë gjithashtu konkurrente për projekte të tjera strategjike, duke përfshirë termocentralin e ri të Kosovës. Të tjera po punojnë në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Ambasasdori Sejdiu thotë se tërheqja e investimeve të huajaj të drejtpërdrejta në Kosovë është një nga qëllimet kryesore të qeverisë.
"Ka shumë ndërmarrje turke që kanë investuar në Kosovë në sektorë të tillë si banka dhe shërbime të tjera, miniera, ndërtim e me rradhë. Qëllimi ynë është t'a rrisim këtë. Në ndjekje të këtij qëllimi, ambasada jonë [financon] katër deri në pesë forume biznesi e veprimtari të ngjashme në qytete të ndryshme të Turqisë çdo vit, që nxisin investimet nga Turqia në Kosovë," tha ai për SETimes.
Sa për tani, Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar 16 marrëveshje, një provë për dinamizmin në marrëdhëniet e tyre. Por lidhjet me Turqinë janë përqëndruar gjithashtu në patjen e më shumë njohjeve për Kosovën. Çështja mori rëndësi qendrore përsa i përket bashkëpunimit politik.
"Gjatë katër viteve të fundit, qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Kosovës ka qenë rritja e numrit të njohjeve dypalëshe të pavarësisë ... dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare," shtoi Sejdiu.
Ai thekson se çdo mbështetje nga Turqia që përmirëson aftësitë dhe efektshmërinë e institucioneve shtetërore ose nxit zhvillimin ekonomik ose promovon Kosovën ndërkombëtarisht, ushqen integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Sejdiu e përshkroi Turqinë si një aleat vendimtar euro-atlantik, diçka e pohuar në mënyrë të përsëritur gjatë kapitujve më të vështirë të Kosovës: lufta e viteve 1990, rindërtimi dhe koha pas shpalljes së pavarësisë.
"Sipas pikëpamjes time, këto momente vendimtare tregojnë se qëndrimi i Turqisë mbi Kosovën është shprehur përgjatë linjave të kuadrit euro-atlantik dhe kështu që është në përputhje të plotë me atë të aleatëve të tjerë të rëndësishëm strategjikë. Duhet të shohësh listën e vendeve që njohën pavarësinë e Kosovës në javën që pasoi shpalljen ... për t'a konfirmuar këtë."
Por neo-otomanizmi i politikës së jashtme turke nuk shihet përgjithësisht si pozitiv mes disa qarqeve akademike në Kosovë. Sejdiu pranon po aq, lidhur me ndikimin e trashëgimisë së Perandorisë Otomane në marrëdhëniet dypalëshe. Ai thotë se ndërveprimi mes të kaluarës dhe së tashmes në Ballkan ilustron vëzhgimin e famshëm të Uinston Çërçillit: ndonjëherë Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë.
"Nuk është realiste të shpërfillësh krejtësisht perceptimet historike në formimin e opinioneve të politikës së jashtme. Ky nuk është faktori më ndikues kur vjen puna te formulimi i parametrave të politikës së jashtme të shteteve, qoftë Kosova, Turqia ose të tjerë. Nuk po nënkuptoj se trashëgimia historike luan rol në të njëjtën mënyrë në çdo vend ose rajon të botës. Ajo që dëshiroj të nënvizoj është fakti se perceptimet e ndjenjat historike janë kurdoherë të ndërthurura me faktorë të tjerë kur vjen puna te ndikimi i tyre në modelet e politikës së jashtme," shpjegoi Sejdiu.
Turqia ka qenë një partner i rëndësishëm në çështjet e mbrojtjes, por ndërsa vendet e tjera në rajon kanë nënshkruar një Marrëveshje të Bashkëpunimit të Mbrojtjes me Turqinë, Kosova nuk e ka një të tillë. Sejdiu thotë se megjithatë, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bashkëpunim të fortë me ushtrinë turke dhe se marrëdhëniet mes ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë turke të Mbrojtjes janë dinamike.
"Disa marrëveshje në këtë fushë janë nënshkruar tashmë mes Kosovës e Turqisë. Ato u korrespondojnë nevojave e realiteteve në Kosovë ... Mund të them se ky [bashkëpunim me FSK] është një nga më format më aktive të bashkëpunimit mes të dy vendeve dhe se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë përfituar mjaft nga ky bashkëpunim."
Ai thotë se komuniteti shqiptar që jeton në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë një faktor kryesor në ushqimin e marrëdhënieve dypalëshe.
"Kam mendimin se faktori bazë në marrëdhëniet mes të dy vendve është vizioni i tyre për të ardhmen. Konceptualisht, kjo është ku rrugët e tyre mund të bashkohen ose të ndahen ose edhe të përplasen. Kosova e Turqia ndajnë të njëjtin vizion për Ballkanin. Që do të thotë, të dyja dëshirojnë të shohin një rajon të qëndrueshëm, demokratik e të begatë, të integruar në BE e NATO."