29/06/2009
Liria e shtypit ka rënë anembanë globit vitin e fundit, sipas një raporti të fundit, me Europën Lindore që përjeton rënien më të mprehtë.
(Dnevnik.bg - 06/05/09; Zaman - 04/05/09; Sofia Echo - 03/05/09; VOA, RFE/RL, SNA, B92, MIA - 02/05/09; Freedom House, AP, CNN - 01/05/09; AFP - 30/04/09)
Duke treguar krizën ekonomike si katalizatorin kryesor, një raport i ri i Freedom House tregon se liria e shtypit u pakësua për të shtatin vit me rradhë më 2008. "Profesioni i gazetarisë sot është vënë me shpatulla për muri dhe lufton të mbahet gjallë, pasi presionet nga qeveritë, aktorë të tjerë të fuqishëm dhe kriza globale ekonomike, ia bëjnë jetën të vështirë," tha Drejtoresha Ekzekutive e Freedom House, Xhenifer Uindsor.
"Shtypi është mbrojtja e parë e demokracisë dhe cënueshmëria e tij ka pasoja të mëdha për demokracinë, nëse gazetarët nuk janë në gjendje të kryejnë rolin e tyre tradicional të rojtarit mbikqyrës."
Sondazhi i këtij viti që u lëshua në maj, vlerësoi 195 vende dhe territore mbi bazën e 23 pyetjeve metodologjike në kategori të gjera: ligjore, ekonomike dhe të mjedisit politik. Vendeve ju dha një pikavarazh prej 0 (më i miri) në 100 (më i keqi), që përcakton klasifikimin e tyre si "i lirë" (1-30 pikë), "pjesërisht i lirë" (31-60) ose "jo i lirë" (61-100).
Rreth 36% apo 70 nga 195 vende, që kanë 17% të banorëve të botës u renditën si "të lirë", nga 72 që qenë vitin e kaluar. Numri i atyre të klasifikuar si "pjesërisht të lirë" u rrit në 61 apo 31%, nga 59 në sondazhin e 2008, ndërsa grupi "jo i lirë" qëndroi në 64 vende apo 33%.
Të gjitha pikat e ndryshimit në vendet e Ballkanit më 2008 ishin negative: rajoni i Europës Qendrore dhe Lindore/Ish-Bashkimi Sovjetik, pa zvogëlimin më të madh në lirinë e shtypit anembanë botës, vuri në dukje organizata, duke cituar prirje në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH), Bullgari dhe Kroaci.
"Disa vende në Ballkan, të tilla si Bosnje dhe Herzegovina, Bullgaria dhe Kroacia treguan prirje negative për shkak të kërcënimeve fizike në rritje dhe ngacmimit të gazetarëve," tha raporti.
Si Bullgaria, ashtu edhe Kroacia përjetuan vdekje të rralla të punonjësve të shtypit, ndërsa niveli i përgjithshëm i trëmbjes dhe dhunës u rrit në të tre vendet."
Georgi Stoev, një ish-anëtar bande i shndërruar në gazetar dhe autor i një serie librash mbi krimin e organizuar në Bullgari, u qëllua për vdekje në mes të ditës në një nga pjesët më të populluara të Sofjes vitin e kaluar. Vrasja e tij mbetet e pazgjidhur. Shtatorin e kaluar, Ognjan Stefanov botues i faqes në internet Lajmet Bretkoca, u rrah egërsisht sa që mbeti tre ditë në koma. Asnjë nga sulmuesit nuk u identifikua.
"Mosndëshkimi për krimet e kaluara kundër gazetarëve është vënë në dukje si një shqetësim në rritje në Bullgari...."
Një mbikqyrës tjetër i shquar përfundoi më parë këtë vit se liria e shtypit ishte "përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme" që kur Bullgaria u bashkua me BE dy vjet më parë, duke iu referuar incidenteve të frikësimit kundër gazetarëve gjurmues dhe klimës së përgjithshme të sektorit të medias në vend.
"Bullgaria ka evoluar nga një rregjim i fortë komunist në një feudalizëm modern, por pa ndonjë ndryshim real të aktorëve," njoftoi shkurtin e kaluar Gazetarët pa Kufi, një OJQ me qendër në Paris që nxit lirinë e shtypit.
Bullgaria u rendit e 76-a në indeks me 36 pikë, nga 33 që kishte vitin e kaluar.
Disa vende më poshtë, Kroacia erdhi në vendin e 81-të me 38 pikë, për shkak të "prirjeve negative" të saj.
Ivo Pukaniç, pronari i së përjavshmes kryesore të Kroacisë, Nacional, u vra kur një makinë bombë shpërtheu në Zagreb në tetor 2008. Në incident u vra gjithashtu drejtori i marketingut të gazetës Niko Franjiç. Një hetim ka shpënë në arrestimin e disa të dyshuarve duke përfshirë bosin e mafias Sreten Joçiç.
BiH shënoi 47 pikë, dy më lart se vitin e kaluar, duke e shpënë vendin në vendin e 98-të. Pikavarazhi i rritur është për shkak se "Autoritetet e Republika Sërbska ushtrojnë kontroll në rritje politik ndaj degëve të medias," tha raporti.
Disa vende të Ballkanit mbetën të pandryshuar në pikë nga viti i mëparshëm, duke përfshirë Maqedoninë (47) në vendin e 98-të, Serbinë (39) në vendin e 83-të, Rumaninë (44) në vendin e 92-të, së bashku me Ekuadorin, Panamanë dhe Perunë, dhe Shqipërinë (50) që renditet e 101-ta.
Turqia dhe Mali i Zi të dyja ranë me nga një pikë duke sinjalizuar një përmirësim të lehtë.
Pikavarazhi 37 për Malin e Zi, vetëm një pikë më lart se ai i Bullgarisë, e vuri vendin në vendin e 78-të në renditjen botërore, së bashku me Botsvanën dhe Timorin Lindor.
Qiproja dhe Greqia mbetën të vetmet vende të Europës Juglindore që klasifikohen si "të lira". Qirpoja mori një total prej 22 pikësh, duke zënë vendin e 38-të midis Australisë, Dominikës, Francës dhe Maltës.
Me një klasifikim të përgjithshëm prej 29 pikësh, nga 27 në indeksin e 2008, Greqia ndau vendin e 63-të me Kilin dhe Samoan.
Me një pikavarash prej 9 pikësh, Islanda u rendit si numri një në indeksin e Lirirsë së Shtypit 2009 të organizatës. Finlanda dhe Norvegjai vinin të dytat me 10 pikë secila. Shtatë vende të tjera të evropiane perëndimore hynë në dhjetëshen e parë: Danimarka, Suedia, Belgjika, Luksemburgu, Andorra, Hollanda dhe Zvicra, respektivisht.
Turkmenia, Birmania dhe Korea e Veriut dolën përsëri si tre vendet e botës me pikavarazhin më të keq.
Studimi prej tetë-faqesh doli përpara Ditës së Lirisë së Shtypit në 3 maj së bashku me indeksin e lirisë së shtypit dhe tabelat e tjera, diagramat e grafikët dhe analizën. Sondazhet individuale të 195 vendeve pritet të botohen më pas këtë vit.