Prapa në "planin A" në Kosovë

26/11/2007

Me një udhëheqje të re që merr frenat në Prishtinë dhe fazën e fundit të negociatave që i afrohet fundit, BE po sheh për rrugëdaljen më pak të rrëmujëshme të enigmës së Kosovës.

Analizë nga Robert C Ostin për Southeast European Times – 26/11/07

Në një klimë politike eklipsuar më së shumti nga çështja e statusit përfundimtar, populli i Kosovës shkoi në votime në 17 nëntor për të zgjedhur udhëheqës të rinj. Megjithë praninë e pushtetëshme të posterave të fushatës, debateve televizive dhe medias së shtypur, entusiazmi ishte i ulët. Shumica thjeshtë nuk mund të shihnin se si mund të mbaheshin zgjedhjet me çështjen e statusit që duket kaq pranë. Shifrat e pjesëmarrjes, në rreth 45% qenë më të ultat e çdo votimi që nga konflikti i 1998-1999.

Niveli i ulët i besimit që kosovarët kanë në udhëheqësit e tyre ishte gjithashtu tepër i dukshëm. Shumë njerëz tani e kuptojnë fare mirë të çarën e madhe midis premtimeve të fushatës dhe realitetit të ashpër ekonomik me të cilin përballet Kosova. Pakë parti qenë në gjendje të kapin ndonjë vrull serioz: edhe Aleanca e Re për një Kosovë të Re, kryesuar nga Bexhet Pacolli, nuk ja doli t'i bëjë përshtypje votuesve të magjepsur me partitë kryesore dhe trashëgiminë e tyre të korrupsionit dhe paaftësisë. Me të vërtetë, Pacolli sprapsi më shumë se disa duke e deklaruar veten "tepër të pasur për të qenë i korruptuar".

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila nën presidentin e vdekur Ibrahim Rugova mbizotëroi jetën politike në krahinë, u duk të se nuk kishte asgjë të re për t'u thënë votuesve. Në vend të kësaj, ajo bëri fushatë me imazhet e mbinatyrshme të Rugovës dhe premtimet e zbehta të integrimit evro-atllantik. Votuesit e ndëshkuan LDK dhe i dhanë shpërblim Partisë Demokratike të Kosovës, të Hashim Thaçit. Pasi ju mohua posti i kryeministrit për kaq gjatë, Thaçi duket i vendosur të marrë postin në këtë moment historik për historinë e Kosovës. Pavarësisht udhëheqjes së tij, të formosh koalicione në Kosovë nuk është kurrë e lehtë dhe ditët që vijnë do të shohin disa përpjekje serioze të bëra midis spektrit të gjerë të partive politke. Thjeshtë, gjithsecili do të jetë në pushtet kur vjen pavarësia.

Reformistët liberalë do të jenë thellësisht të pakënaqur me shfaqjen e e partisë ORA të Veton Surroit. Deri tani, shtetari më i mirë i Kosovës, Surroi ka gjasa të ketë humbur vota ndaj partisë së re të Pacollit dhe mund të ketë tjetërsuar përkrahësit e vet tradicionalë në qendrat urbane. Një poster fushate i keq-këshilluar, nuk ndihmoi. Duke treguar Surroin me presidentin Xhorxh W. Bush, posteri premtonte se një votë për ORA do të ndihmonte kosovarët të bëheshin "mjeshtër të Shtëpisë".

Për komunitetin ndërkombëtar, zgjedhjet ngrenë një numër alarmesh. Pjesëmarrja e ulët rekord dhe zhgënjimi që ajo pasqyron, ngre frikë se gjithë puna e bërë në vitet e fundit për të ndërtuar një shoqëri civile në Kosovë po del për keq ndërsa procesi i statusit zvarritet. Bojkoti pothuajse i plotë nga serbët e Kosovës bën me dije se shumica në komunitetin e tyre ende mbështeten në Beogradin për të parandaluar pavarësinë se sa të shohin përpara në jetën politike në një Kosovë sovrane. Dhe ndërsa Thaçi ndërkaq ka premtuar të mos bëjë ndonjë lëvizje të papritur, është e qartë se votuesit e kanë llogaritur atë të bëjë atë që paraardhësit e tij nuk ja dolën të arrijnë: të udhëheqin Kosovën në shtetformim, në njërën apo tjetrën udhë.

Procesi i negociatave është shtrirë tani aq sa ç'mund të shkojë. Pas raundeve të njëpasnjëshme, Beogradi e Prishtina vazhdojnë të mbajnë qëndrime të papajtueshme ndërsa kërcënimi ndaj stabilitetit rajonal po bëhet më konkret. Grupet militante jo vetëm janë rishfaqur në Kosovë por kanë treguar shenja të fermentimit të trazirave edhe në Maqedoninë fqinjë po ashtu. Ndërkohë, krerët e Kosovës i kanë bërë tashmë me dije botës se veprimi, në formën e shpalljes së pavarësisë, mund të pritet pas 10 dhjetorit pasi të përfundojë raundi më i fundit i bisedimeve. Perëndimi u ka kërkuar atyre të ushtrojnë përmbajtje duke këshilluar se sovraniteti i mosnjohur do të shkaktonte probleme më shumë se sa mund të zgjidhte. Por për të ndaluar shqiptarët nga marrja në duart e tyre të punëve, komunitetit ndërkombëtar i duhet të veprojë me vendosmëri dhe me të shpejtë.

Brenda Kosovës, sondazhet tregojnë se njerëzit do të vendosnin për pavarësi pa miratimin e gjerë të OKB , për aq sa të mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha evropiane. Disa bile do të pranonin një deklaratë që të mbështetej vetëm nga Uashingtoni, ndonse ky përbën një problem pasi është BE dhe jo Shtetet e Bashkuara që supozohet të nisë një mision për të pasuar UNMIK. E ardhmja e Kosovës mendohet të zgjidhet brenda kuadrit më të madh të integrimit në BE. Që kjo të ndodhë, çdo lëvizje nga Prishtina duhet të ketë mbështetjen nga një numër solid vendesh anëtare të BE edhe në qoftë se njëzëri është e vështirë të arrihet në këtë pikë.

Beogradi, ndërkohë ka vënë në tryezë të gjitha llojet e propozimeve të reja për autonominë e gjerë, duke përfshirë një "model të Hong Kongut" dhe një të frymëzuar nga Aaland, një pjesë autonome suedisht-folëse e Finlandës. Është folur bile edhe për dy Gjermanitë në vitet 1970 kur shteti gjerman perëndimor paka a shumë njohu shtetin gjerman lindor. Të gjitha këto propozime janë hedhur poshtë nga shqiptarët, duke lejuar Serbinë të shënojë disa pikë retorike duke u ankuar për mosfleksibilitetin e Prishtinës. Fakti konkret mbetet se shumica shqiptare etnike e Kosovës nuk do të pranojë qeverisjen nga Beogradi në asnjë formë. Serbia nuk mund ta mbajë dot Kosovën; e shumta që mund të bëjë është të bllokojë atë nga arritja e stabilitetit. Po të zgjedhë këtë rrugë, ajo mund ta gjejë veten në trazirë në krahinat jugore serbe të Bujanovcit, Preshevës e Medvegjes.

Për BE, përparësia kryesore është të shmangë çdo kërcënim ndaj stabilitetit rajonal. Shumë energji, për të mos përmendur të ardhurat, është shpenzuar gjatë viteve të fundit për ta vënë Ballkanin në udhën e duhur përsëri pas katastrofave të 1990. Duke pranuar se shkarja pas e Bosnje dhe Herzegovinës në etnonacionalizëm mund të frenohet, Kosova është i fundmi problem i pazgjidhur në rajon. Sfida tani është të gjendet zgjidhja më pak e rrëmujshme, një e tillë që ka potencialin të sjellë stabilitetin afat-gjatë atje dhe të shtrojë udhën për integrimin me Evropën.

Vetëm një kompromis i besueshëm është vënë në tryezë, plani i ish presidentit finlandez Marti Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur, propozuar vjet në mars. Propozimi u përqafua menjëherë nga shumica shqiptare megjithë pushtetet thelbësore që u kërkohej t'u linin serbëve dhe pakicave të tjera. Plani u kundërshtua nga serbët në Kosovë dhe autoritetet në Beograd dhe u bllokua ndërkombëtarisht nga Rusia.

Plani i Ahtisaarit mbetet gjëja më e afërt deri tani ndaj një zgjidhjeje që do të balanconte pavarësinë e Kosovës, një çështje panegociueshme për shqiptarët, me kërkesën serbe për autonomi dhe ndarje të pushtetit. Autoritetet në Prishtinë kanë premtuar të sillen sipas parimeve të këtij propozimi edhe në qoftë se vendosin t'ja dalin vetë. Ky është një gjest i mirë por zorr të ecë: ata do të kenë nevojë për mbështetjen e BE për ta përcjellë atë.

Në shumë mënyra, raundi i fundit i diplomacisë mbi Kosovën ka qenë një ushtrim i lodhshëm në demonstrimin e asaj se me të vërtetë nuk ka tjetër alternativë atje: nuk ka formulë magjike që do të zgjidhte disi të çarën e paafrueshme midis Beogradit e Prishtinës. Në javët e ardhëshme, diplomatët ose do të dalin me diçka tepër krijuese menjëherë, ose do të kthehen prapë tek plani A siç është përshkruar nga ish presidenti finlandez. Çdo gjë tjetër, më së miri, do të ishte një orvatje tjetër për të fituar kohë, dhe më së keqi, një recetë për paqëndrueshmërinë.

Robert Ostin është lektor në Qendrën Munk për studimet ndërkombëtare mbi Evropën, Rusinë dhe Euroazinë në Universitetin e Torontos.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne