14/05/2007
Zgjedhjet e dështuara presidenciale të Turqisë nxitën dy zhvillime të pashëmbullta të cilat mund të ndryshojnë dramatikisht skenën politike.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times në Ankara – 14/05/07
Partia qeverisëse turke për Drejtësi e Zhvillim (AKP) ka pësuar një tërheqje të madhe në formën e një të çare me institucionin laik të vendit. Partia, e cila i ka rrënjët në Islamin politik, po lëviz tani të amendojë kushtetutën dhe të futë një ndryshim të rëndësishëm: zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit me votën popullore.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër të papritur, partitë opozitare në qendër po lënë pas vitet e ndarjes dhe po bashkojnë forcat për të bllokuar AKP nga fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Prirja është drejt polarizimit më të mprehtë në politikën turke dhe tension i ripërtërirë midis qeverisë dhe sekularistëve.
Kriza aktuale politike shpërtheu në 24 prill kur AKP, e cila ka një shumicë të madhe në parlament, njoftoi ministrin e jashtëm Abdullah Gul si kandidattin e saj presidencial. Zgjedhja ishte një e papritur pasi pritej që të kandidonte kryemininistri Rexhep Tajip Erdogan dhe AKP u duk se përpiqej të shpërndante frikën sekulariste. Kjo nuk eci. Pothuajse një milion vetë morën rrugët për të protestuar kundër kandidaturës së Gul. Partitë opozitare bojkotuan raundin e parë të votimit për president duke mos i dhënë Gul kuorumin e duhur. Ushtria turke hyri në lojë duke paralajmëruar se do të mbronte sekularizmin dhe duke akuzuar qeverinë për tolerimin e Islamit radikal.
Përgjigjia e AKP ishte e pashembullt. Qeveria qortoi publikisht forcat e armatosura lidhur me deklaratën e tyre, thirri zgjedhjet e parakohshme dhe inicioi amendamentet e mëdha kushtetuese për ta bërë presidencën një post të zgjedhur nga populli. Gul, dy herë jo në gjendje të zotëronte një kuorum, tërhoqi ofertën e tij por premtoi të ishte kandidati i AKP në votën popullore.
Sipas Faruk Logoglu, drejtor i Qendrës së Kërkimit Strategjik Euroaziatik, trazira e fundit politike shkon deri në një luftë brenda një demokracie të pjekur. Kriza, sugjeron ai, ka më tepër gjasa ta forcojë sistemin demokratik se sa ta pengojë atë.
"Në disa mënyra, demokracia e Turqisë nuk është e pjekur mjaft krahasuar me ato evropiane, por ky është një proces. Hapi i fundit i ushtrisë në politikë tregon qartë dështimet në mekanizmin e kontrollit dhe balancës të demokracisë turke," thotë Logoglu. "Natyrisht nga një pikëpamje demokratike, masa e fundit e ushtrisë është e papërshtatshme. Por të kritikosh vetëm ushtrinë do të ishte gabim. Qeveria e AKP qeverisëse bëri gjithashtu gabime të rëndësishme."
Për shembull, thonë kritikët, AKP gaboi duke u mbështetur në shumicën e vet absolute në parlament, në vend që të kërkonte konsensus ndërmjet grupeve politike.
AKP e ka qeverisur Turqinë që nga viti 2002. Ajo ka udhëhequr reformat ekonomike e politike dhe ka bindur BE të hapë bisedimet e pranimit, më tepër se 40 vjet pasi Turqia shprehu së pari dëshirën të bashkohet me të. Megjithatë, ajo ka krijuar gjithashtu shqetësime tek sekularistët me masat që me sa duket synonin në zgjerimin e rolit të fesë. Ajo ka kërkuar heqjen e ndalimit të mbajtjes së shamive të kokës të stilit islamik në shkollat dhe zyrat qeveritare dhe kërkoi ndëshkimin e adulterisë si një krim. Disa bashki të qeverisura nga partia kanë ndërmarrë hapa në ndalimin e konsumimit të alkoolit.
Presienti që largohet Ahmet Nexhdet Sezer është një sekularist i patundur. Gjatë pesë vjetëve të fundit, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në gjetjen e një barazpeshe midis ushtrisë ashpërsisht sekulare dhe qeverisë me rrënjë islamike. Sezer vuri veton ndaj disa projekt-ligjeve mbi bazën e asaj se shkelnin parimin e sekularizmit dhe ai gjithashtu vuri veton ndaj emërimeve të së paku 350 zyrtarëve me prirje islamike në pozitat kyçe.
Sistemi politik i Turqisë është një demokraci parlamentare me pushtetin që e ka kryesisht qeveria. Por presidenti mund të vërë veton për ligjet pas miratimit të tyre të parë nga parlamenti dhe pastaj ai ka të drejtën të bëjë apel në Gjykatën Kushtetuese kundër legjislacionit që ai kundërshton. Ai emëron gjithashtu guvernatorët, ambasadorët, shefat e policisë, krerët e departamenteve të ministrive dhe zëvendësave të tyre, gjykatësit e lartë, anëtarët e Bordit të Arsimit të Lartë, rektorët e universiteteve dhe kreun e bankës qendrore. Ai është komandanti i lartë i forcave të armatosura. Ushtria turke, gjykatat e universitetet janë bastionet tradicionale të sekularizmit.
Bazuar në rolin e rëndësishëm të presidentit, reagimi ndaj kandidaturës së Gul nuk është i papritur. AKP ndërkaq kontrollon parlamentin dhe qeverinë. Po të fitojë presidencën, partia do të mbante të gjitha degët kyçe të pushtetit. Turqia do të ishte praktikisht nën një rend një-partiak.
Sekularistët nuk e kanë mirëpritur idenë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit duke e parë masën e AKP si një tjetër kërcënim ndaj kontrollit dhe balancës së pushteteve. Shoqata e fuqishme e biznesit TUSIAD paralajmëron se të tilla ndryshime duhen futur vetëm pas zgjedhjeve të përgjithshme, pas diskutimit tërësor dhe konsensusit midis të gjitha partive.
"Sistemi parlamentar në vendin tonë është rezultat i një procesi historik. Orvatja për të ndryshuar thelbin e këtij sistemi do të hapë udhë për pasiguri në sistemin tonë poliitk," thoshte grupi në një deklaratë.
Si në përgjigje të orvatjes së AKP për mbizotërim, harta politike po shkon nëpërmjet disa rigrupimeve të mëdha. Dy partitë e qendrës së djathtë, Partia e Rrugës së Vërtetë (DYP) dhe Partia e Mëmëdheut (ANAP) arritën një marrëveshje për shkrirje duke u zotuar të "rindërtojnë qendrën politike". Partitë e qendrës gëzuan rreth 80% të përkrahjes zgjedhore gjatë viteve 1980 dhe 1990 por shifra ra që atëhere në 20%. Në të vërtetë, ishte fragmentizimi i elektoratit sekularist që lejoi AKP të merrte dy të tretat e vendeve në parlament edhe pse mori vetëm 34% të votave.
Turqia ka një prag 10% që duhet kaluar nga partitë në mënyrë që të fitojnë përfaqësim. Vetëm AKP dhe Partia Popullore Republikane (CHP) ja dolën të kalojnë pragun, ndërsa 45% të votave u ndanë midis 17 partive, asnjë nga të cilat nuk u fut në parlament.
Aleanca e re e qendrës së djathtë përbën një kërcënim për AKP për shkak se ajo mund të joshë votuesit e klasës së mesme të qyteteve që kanë mbështetur reformat ekonomike të qeverisë dhe politikën e orientuar drejt BE por merakosen rreth një "axhende islamike" të fshehur.
Në qendrën e majtë, CHP thotë se ka rënë dakord në parim, të përfshijë kandidatët nga Partia e vogël e Majtë Demokratike (DSP) në listën e vet zgjedhore. Kjo masë pasoi demonstratat e mëdha në Ankara e Stamboll gjatë të cilave mijra protestues kërkuan unitet.
Hikmet Çetin, ish ministër i jashtëm i Turqisë dhe një figurë tepër e respektuar e Turqisë në qendrën e majtë, thotë se mesazhi i masave ishte i qartë.
"Unë nuk i përkthej këto thirrje si të drejtuara vetëm ndaj partive të majta. Populli është vërtet i zhgënjyer me politikat e AKP. Ata nuk i shohin aktorët aktualë të opozitës si kompetentë. Ata po kërkojnë një alternativë serioze."
Çetin po kryen tani një sërë bisedimesh jozyrtare me figura të tjera të shquara të qendrës së majtë e të djathtë duke përfshirë ish kryeministrin Mesut Ilmaz dhe ish presidentin Sulejman Demirel.
Sipas analistit politik Erhan Goksel, megjithatë polarizimi në politikën turke është tani kaq i thellë sa që përpjekjet për të shpëtuar qendrën mund të dështojnë apo të kenë ndikim të kufizuar. Islamistët dhe konservatorët do të vazhdojnë të mblidhen rreth AKP-së, argumenton ai, ndërsa liberalët dhe sekularistët nuk do të shohin udhë tjetër veçse t'i mbërthejnë shpresat e tyre tek CHP. Partitë e tjera, edhe në qoftë se bashkojnë forcat, mund ta gjejnë veten përsëri jashtë.