Banka Botërore nxit rritjen e investimeve në novacionin komercial

01/05/2006

Duke paralajmëruar vendet e Evropës Qendrore dhe Azisë Qendrore se po zvarriten prapa shumicës së botës së zhvilluar në shpenzimet për R&D, një raport i ri i Bankës Botërore u kërkon atyre të marrin hapa për të përmirësuar kushtet për rritjen e investimit në novacionin komercial si një mjet për nxitjen e prodhimit dhe reduktimin e varfërisë. Sipas ekspertëve të Bankës, është e rëndësishme të nxitet roli i sektorit privat si edhe të krijohen stimuj ekonomikë, të përtërihet infrastruktura e informacionit dhe të bëhen reforma arsimore.

Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje - 01/05/06

Vendet nga Evropa Qendrore dhe Azia Qendrore po mbeten prapa nga shumica e vendeve të botës së zhvilluar në shpenzimet për R&D, sipas një raporti të fundit nga Banka Botërore.

Shpenzimi mesatar për R&D në rajon tani qëndron në më pak se 1 përqind të PKB-së, shumë më poshtë se objektivi prej 3 përqind i BE, sipas studimit "Mbështetja financiare publike për novacionin komercial". Më tej, rreth dy të tretat e shpenzimeve për kërkimin në këto vende shumica e të cilave janë vende ish-komuniste, është e mbuluar nga fondet publike, ndërsa në Evropën Perëndimore, 65 deri 70 përqind e totalit vjen nga sektori privat. Në Japoni, pjesa e sektorit privat shkon në 80 përqind.

Qëllimi i autorëve të raportit është t'u ofrojnë politikbërësve në Evropë dhe Azinë Qendrore (ECA) opsione për të rritur rendimentin dhe rritjen ekonomike duke krijuar një mjedis favorizues për aplikimin e njohurive në ekonomi nëpërmjet novacionit dhe të mësuarit. Ata analizuan instrumente të ndryshme financiare për të inkurajuar novacionin në rajon dhe rekomanduan masa reformash që duheshin kryer përpara aplikimit të këtyre instrumenteve.

Shtatë vende të Evropës Juglindore (SEE), Shqipëria, Bosnjë dhe Herzegovina (BiH), Bullgaria, Kroacia, Rumania, Serbi-Mali i Zi dhe Turqia, janë midis 25 vendeve të ECA të vlerësuara në raport. Të tjerat përfshijnë 13 ish republika sovjetike, Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë, Slovakinë dhe Slloveninë, të cilat hynë në Bashkim në 2004.

Duke përdorur një sërë Treguesish të Ekonomisë së Dijes (KEI): stimujt ekonomikë, arsimin, sistemin e novacionit dhe strukturën informative, studimi rendit vendet sipas aftësisë së tyre për të investuar efektivisht në novacion. Çdo vendi i jepet një vlerësim nga 1 në 10 për çdo indikator dhe një KEI e përgjithshme që përcakton renditjen e tij.

Nga të 25 vendet, tre të parat lidhur me KEI janë Estonia me 8.26 pikë, Sllovenia me 7.88 dhe Lituania me 7.17. Ato pasohen nga pesë anëtarët e rinj të BE. Menjëherë pas tyre vjen Kroacia me 6.22 pikë dhe Bullgaria me 6.19, respektivisht në vendin e 9-të dhe të 10-të. Nga vendet e tjera të SEE, Rumania rendited e 12-ta me 5.27 pikë, Turqia zë vendin e 16-të me 4.73 pikë dhe Serbi-Mali i Zi vendin e 17-të me 4.55 pikë. BiH ka 3.02 pikë në vendin e 23-të, pasuar nga Shqipëria, e dyta nga fundi midis 25 vendeve të ECA, me 2.99 pikë.

Për krahasim, Finlanda, një nga ekonomitë novatore në krye të botës, ka një KEI të përgjithshme prej 9.02 pikësh dhe 9.73 në novacion dhe 9.21 në arsimim.

Vendet e SEE morën rezultate të përzjera për tregues të veçantë. Rezultati më i lartë 7.12 pikë për novacionin i Kroacisë, e vë atë në vendin e katërt midis 25 vendeve, përpara gjashtë vendeve anëtare të BE. Por vendit i jepet vetëm 4.31 pikë për regjimin e stimujve ekonomikë, duke sugjeruar një nevojë për përmirësim në këtë fushë.

Rezultati më i mirë prej 6.73 pikësh i Bullgarisë është në edukim, duke e rreshtuar atë në një renditje më të mirë se vendet e tjera të SEE, por dy vende më poshtë se pozicioni i saj në renditjen e përgjithshme të KEI.

Rumania, për shembull, është e 12-ta në renditjen e përgjithshme të KEI por vetëm e 20-a në edukim për shkak të shpenzimeve të ulta publike në këtë sektor. PKB për frymë e Turqisë është në të njëjtin nivel si Lituania dhe Sllovakia por ajo renditet pas këtyre vendeve në indeksin e përgjithshëm KEI, për shkak të pikëve të ulta në vitet mesatare të shkollimit dhe arritjet matematikore. Ajo është në vendin e 24-të në edukim.

Një rezultat më pak se 2.50 pikë në një tregues specifik është një shenjë ngushtimi në atë fushë. BiH dhe Shqipëria për shembull, kanë marrë vetëm 1.02 dhe 1.65 pikë respektivisht për novacionet, ndërsa rezultati më i dobët i Serbi-Malit të Zi prej 2.15 pikësh i referohet treguesit të stimujve ekonomikë.

Në qoftë se qeveritë ofrojnë fonde të mjaftueshme për të inkurajuar novacionin pa përmirësuar gjithashtu stimujt ekonomikë, pa përtërirë infrastrukturën e informacionit dhe pa reformuar edukimin, paratë shkojnë dëm, shënon raporti. Për më tepër, rritjet në shpenzime nuk kanë gjasa të sjellin përmirësim në qoftë se sektori privat nuk fillon të luajë një rol më të madh në proces.

Megjithë numrin e madh të kërkimeve dhe trashëgiminë e arritjeve arsimore nga periudha komuniste, vendet në ish bllokun lindor nuk do ta gjejnë të lehtë të përkthejnë këto forca potenciale në novacione të suksesshme komerciale në qoftë se universitetet dhe institucionet kërkimore nuk punojnë njësh me sektorin privat, thoshte Banka Botërore.

"Fondet qeveritare janë të pakta dhe duhet të përdoren vetëm për të financuar kërkimin kur janë kushtet për të që të jetë frutdhënës,'" theksonte autori kryesor i studimit, Itzhak Goldberg.

Mundësia e stimujve për të nxitur bashkëpunimin midis kërkuesve dhe sektorit privat dhe aksesi i publikut të gjerë ndaj kompjuterave dhe internetit janë disa nga konditat e domosdoshme. Rendi i ligjit është gjithashtu thelbësor, sipas Goldberg ashtu siç janë dhe mbrojtja e pronës intelektuale dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin.

Për të diskutuar se si vendet e ECA mund të përmirësojnë sistemet e tyre të novacionit dhe të rritin më mirë përdorimin e njohurive nga firmat, Banka Botërore organizoi një forum të Ekonomisë së Dijes në Pragë në 28-30 mars. Veprimtaria tre-ditore mblodhi së bashku përfaqësues të 27 vendeve nga rajoni.

"Përkthimi i kërkimit dhe zhvillimit në sukses komercial është çelësi për arritjen e rritjes së qëndrueshme afat-gjatë ekonomike," tha në fjalën e hapjes në konferencë Shigeo Katsu, nën president i Bankës Botrërore për rajonin e ECA. "Kjo do të kërkojë nga qeveritë e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për të ndaluar shpenzimin e burimeve të tyre të kufizuara në sisteme të vjetëruara novacioni dhe të nisin inkurajimin që ndërmarrjet private të hyjnë në shteg, siç bëjnë shoqet e tyre më në perëndim."

Kjo nuk do të thotë se qeveritë duhet të ndalojnë financimin e kërkimit tërësisht, por që kur ato japin fonde publike për të tilla veprimtari, fokusi duhet të jetë në punën kërkimore nga ose për ndërmarrje private. "Roli më i rëndësishëm për qeverinë është të kryejë reformat e nevojshme strukturore në mënyrë që investimet në kërkim të japin frute," tha Katsu. 'Kanalizimi i burimeve që qeveritë ruajnë mbi kërkimin e drejtpërdrejtë në edukim, shëndetësi dhe rrjetet e sigurisë sociale, do të ndihmojë gjithashtu duke ngritur rendimentin e punës. Përveç kësaj qeveria ka nevojë për të lehtësuar aksesin publik ndaj internetit, për të inkurajuar raportimin e saktë financiar nga firmat dhe për të mbajtur rendin e ligjit. E njëjta gjë vlen për luftën ndaj korrupsionit dhe forcimin e rregullave për të mbrojtur të drejtat e pronës intelektuale."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne